Burri më tradhtoi me një plakë…HISTORI NGA JETA

201

Unë që po ju shkruaj jam një grua 35 vjeçe dhe kam dy fëmijë; një djalë dhe një vajzë. Jam martuar e re dhe me shkuesi. Burrin e kam 15 vjet më të madh se vetja. Ai ka punuar punë jo të rënda dhe nuk ka rënë. Edhe unë nuk jam mbajtur ndonjëherë për e bukur, kështu që nuk duket shumë diferenca jonë.

Gjithmonë kam patur maninë t’i zgjedh shoqet më të vjetra se veten. Para tre vjetësh, ndërrova shtëpi.

Isha e re në lagje dhe një ditë kërkova ndihmë te shtëpia përballë. Aty më doli një grua që në pamje të parë dukej shumë e re. Ishte e mbajtur dhe dukej si moshatare e imja.

Ajo u tregua e gatshme të më ndihmonte. Kisha vajzën me të vjella dhe më duhej ta çoja në spital. Ajo s’bëri as një, as dy, por mori makinën e saj dhe na çoi në spital. Vajza kishte vetëm një virozë, ndaj mjekët i vunë një serum dhe u bë menjëherë mirë. Komshia ndenji me ne derisa mbaruam dhe më pas na solli në shtëpi. E ndjeva se i detyrohesha dhe zgjata lekët, por ajo nuk pranoi.

– Ç’është ajo fjalë? Sa herë të kesh nevojë, mos e ki problem.

Më dha edhe numrin e telefonit për sa herë të kisha nevojë dhe e mbyllëm me kaq. E ftova të vinte ndonjë ditë në shtëpi. Të nesërmen, trokiti dera. E hapa. Ishte komshia.

– Oh, mirë se erdhe! Eja, sa mirë bëre që erdhe…

– Mirë se të gjeta! Unë në fakt të kam parë e doja të vija qëkur për vizitë, por nuk e dija se si mund ta prisje ti. Dje e pashë se sa njeri i mirë ishe. Vendosa të vija të shihja vajzën, se dje u lidhëm shumë bashkë. Unë kam një mbesë të vogël…

– Si?! – u habita – ti ke një mbesë? Shaka është kjo?

– Hahaha – qeshi ajo. – Faleminderit për komplimentin, por unë kam tre fëmijë: Dy vajza dhe një djalë. Vajza e madhe është 29 vjeçe, është e martuar dhe ka një vajzë 3 vjeçe. Jeton në Londër.

– Të them të drejtën, po habitem. Dukesh kaq e re… – thashë unë. – Po dy fëmijët e tjerë?

Djali është 26 vjeç, është jurist në Amerikë dhe vajza e vogël vazhdon studimet në Londër.

– Ti jeton… – në fakt nuk e dija për burrin.

– Vetëm. Burri më ka vdekur.

– Më fal, nuk e dija – thashë, e ndjerë në faj.

– Jo, jo, s’ka gjë, e ku ta dije ti? Mos u sikletos fare.

Ndenjëm, pimë kafe dhe ia kaluam shumë mirë. Ajo e mbante vajzën time në prehër e dukej në një moshë shumë të re, ndonëse ishte 49 vjeçe. Jetonte në një shtëpi luksoze dhe kishte makinën e saj. Punonte avokate paradite në shtet dhe pasdite, kishte një dyqan rrobash të shtrenjta në një nga zonat më luksoze të qytetit. Pra, siç mund ta kuptoni edhe ju vetë, ajo ishte në gjendje të mirë financiare. Kështu filloi shoqëria jonë. Unë isha pa punë dhe ajo më ofroi punë te dyqani i saj.

– Nuk më pëlqen shitësja që kam, por as nuk mund ta heq menjëherë. Do të gjej një mënyrë e të të fus ty në vend të saj.

– Po unë kam fëmijët…

– Fëmijët i ke në shkollë. Mund ta bësh edhe punën, edhe të mbash familjen – tha ajo.

Sapo erdhi burri në shtëpi, i tregova. Ai në fillim nuk deshi.

– Se si më duket ajo grua – tha burri – Më duket e hedhur dhe jo tipi yt.

– E ke gabim. Është grua shumë e mirë. Le të jetë e hedhur, ç’do më bëjë mua? – doja unë ta mbyllja bisedën menjëherë, sepse kisha dëshirë të punoja.

– Meqë ti ke qejf, futu në punë. – tha ai.

Nuk ma prishte asnjëherë. Ai më donte dhe mundohej shumë për mua dhe fëmijët.

Pas një muaji, unë fillova punë. Isha shumë e lumtur. Punoja vetëm 5 orë. Në atë kohë, fëmijët ishin në shkollë e asgjë nuk më prishej, as orari i fëmijëve, të cilët ishin mësuar të më gjenin gjithmonë në shtëpi. Rroga nuk ishte edhe aq e madhe, por më bënte të ndihesha mirë.

Me komshien u lidha shumë. U bëmë si shoqe dhe madje, si motra, mirëpo si naive që isha, nuk kisha kuptuar asgjë. Meqenëse isha e zënë me punë dhe pastaj me fëmijët, nuk e kisha vënë re që burri ishte larguar pak nga unë. Kishte kohë që ai kishte ndryshuar, por më vonë e kuptova këtë.

Një ditë feste dolëm të festonim së bashku me burrin, fëmijët dhe komshien. Ajo na mori me makinën e saj dhe shkuam në Mal të Zi. Në fillim shkuam në një mal ku kishte rënë dëborë dhe kështu, u detyruam të flinim aty atë natë. Isha e lodhur dhe ky pushim do të më sillte në formë. Më parë nuk isha mësuar të punoja dhe mezi u ambientova me punën dhe me të gjitha ato që bëja. Ne morëm dy dhoma. Ishin aq të bukura dhe komode sa u ngrita shumë vonë në mëngjes. Kur zbrita poshtë te lokali të pija kafe, kamarieri më tha:

– Çifti ka shkuar për ski! Më lanë porosi t’ju them se nëse do të shkosh dhe ti, shko në këtë vend.

– Haha! – qesha me zë – Çifti?

– Po, zonjë! Më falni, mos bëra ndonjë gabim?! – djaloshi u habit dhe priste përgjigjen time që të qetësohej.

Bëra me gisht një shenjë që e kishte mbaruar detyrën, sepse nuk flisja dot nga e qeshura dhe ai u largua. “Ngaqë janë të dy në të njëjtën moshë, i ka ngatërruar”. Mendimi ishte i saktë në fakt, por unë harrova se ajo dukej më e re se unë. Kur u kujtova, një mendim i keq më përshkoi mendjen. “Jo s’ka mundësi!” thashë me vete.

Megjithatë, u nisa për te vendi që më tha kamarieri. Fëmijët i kisha lënë në hotel me një edukatore që ishte e punësuar nga hoteli për të mbajtur fëmijët. Kur shkova, e pashë gjithçka me një sy tjetër. Të dy kishin veshur kostumet dhe me nga një çaj në dorë po bisedonin pas shëtitjeve me ski që kishin bërë. Dukeshin tamam si një çift. Si nuk e kisha vënë re më parë? Më panë nga larg dhe, sapo u afrova, burri më pyeti:

– Ç’ke? S’je mirë?

Në fakt, vetëm atëhere e kuptova se ai kishte kohë që nuk më thoshte “zemër”.

Të dy dukeshin të lumtur dhe nuk e di pse. Mblodha veten.

– Asgjë! U lodha pak deri këtu. Sa larg keni ardhur! Pse nuk më zgjove?

– Ti po flije aq rëndë sa mendova mos të të zgjoja se do bëja gjynah.

– Zemër, po ti po pushoje, ja erdhe tani e do bëjmë edhe me ty një shëtitje! – më tha ajo.

“Zemër”. Po, zemra e saj isha, se e burrit nuk isha më. Nejse, vendosa të mos bëja asgjë për momentin, pa u siguruar mirë.

– Ja ku erdha tani. Jam në formë. Gati për çfarë të doni ju. – thashë me një vendosmëri të paparë.

Bëmë lloj-lloj gjërash ato dy ditë. Ajo kishte lekë, kishte ardhur edhe herë të tjera e i dinte të gjitha vendet ku ia kaloje shkëlqyeshëm. Shumë herë vura re se ata të dy kishin krijuar një lidhje të veçantë. Nganjëherë, më dukej e drejtë. Unë dhe burri im asnjëherë nuk ishim ndier ashtu si ata të dy. Kjo ndoshta ndodhte ngaqë ishin në një moshë. Nejse. Edhe për këtë nuk mund ta duroja. Sapo erdhëm në Tiranë, i thashë burrit se do ta lija punën.

– Si? Po ti ishe aq e kënaqur! Ç’të gjeti tani? – tha ai i nervozuar. Nuk ishte nxehur asnjëherë me mua, por unë e dija se shkaku ishte dikush tjetër.

– Thjesht, nuk dua të punoj më. Jam mirë si shtëpiake.

– Po Elës, si do t’ia thuash?

– Pse hallin e asaj ke ti? Kush të intereson më shumë, unë apo ajo?

– Ç’janë këto që thua? Ti je gruaja ime!

– Po ajo çfarë është? E dashura?

– Ti je me fiksime! Nga të erdhi kjo ide?

– Nuk ke pse të ma fshehësh. Duket hapur që ti më tradhton me të, po ajo është dhe më e vjetër se unë. Si mund ta bësh një gjë të tillë? Të tjerët i tradhtojnë gratë me vajza të reja e ti me atë… – doja të thoja me atë plakë, por ai më tha:

– Lëri këto thashetheme! Merru me punë më mirë. – e nuk e pranoi lidhjen. Mirëpo unë e kreva punën me të. Tani më duhej t’ia thoja asaj.

– Ela, gjej një shitëse tjetër, sepse unë dua ta lë punën. – i thashë.

– Pse kështu, zemër? – gjithmonë kështu më thërriste. Me këto fjalë të ëmbla, e kishte bërë edhe burrin tim për vete.

– Sepse e kam marrë vesh për ju të dy. – ia thashë troç. – Burri im e pranoi se ka një lidhje me ty.

Në atë çast, ajo u ul me forcë në karrige dhe dukej sikur i kishte rënë tavani mbi kokë. Në fakt, unë e gënjeva se burri nuk e kishte pranuar dhe kjo gënjeshtër bëri efektin e duhur.

Që nga ajo ditë, unë u ndava nga burri, mora dy fëmijët dhe u largova nga ajo lagje. Gjeta një punë tjetër dhe jetoj për bukuri. Kam një shok me të cilin sapo jam njohur dhe besoj se kjo lidhje do të ecë.

Këtë herë e kam gjetur dy vjet më të madh se vetja, sepse u dogja njëherë nga burri më i vjetër se unë. Ata të dy jetojnë bashkë dhe, me sa kam marrë vesh, ia kalojnë shumë mirë. Kështu ishte e shkruar. Këtë letër e shkrova vetëm për femrat, që të mësojnë se edhe një shoqe shumë vite më e madhe se ti, mund të ta marrë burrin…