Duke qenë se moti po bëhet më i ftohtë dhe ditët më të shkurtra, disa njerëz po vërejnë se kanë më pak energji dhe nuk po ndihen aq mirë me humorin si zakonisht. Ndërsa këto ndjenja mund të jenë të përkohshme për disa, gati1 në 3 njerëz përballen gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit me një lloj depresioni të njohur si çrregullimi emocional sezonal (SAD)
Simptomat e SAD mund të ndryshojnë nga të lehta në të rënda, por zakonisht përfshijnë: humorin e keq, humbjen e interesit apo kënaqësinë për gjërat që ju kanë pëlqyer më parë, ndryshimin e oreksit (zakonisht duke ngrënë më shumë se sa zakonisht), ndryshimin e gjumit (zakonisht duke fjetur më shumë gjumë),dhe të ndjerit si të pavlerë.
Studiuesit nuk janë ende të qartë se çfarë e shkakton SAD, por ka të ngjarë që arsyet të jenë komplekse dhe te shumanshme. Disa studime sugjerojnë se kjo ndodh për shkak të një hipotalamusi jo funksional (zona e trurit që rregullon proceset biologjike si humori, gjumi dhe oreksi),apo nga prodhimi i tepërt i melatoninës (një hormon që kontrollon ciklin tonë gjumë-zgjim, dhe që prodhohet nga gjëndra pineale e trurit).
Nga ana tjetër, disa studiues teorizojnë se kjo gjendje mund të shkaktohet për shkak të të pasurit të një ritmi cirkadian të ndërprerë, pra të procesit natyror të brendshëm që rregullon ciklin tonë gjumë-zgjimit. Sigurisht, mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë.
Për shembull, disa studime kanë treguar se gratë mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë SAD, edhe pse për shkak të mungesës së hulumtimeve specifike, është e pasigurt nëse këto dallime gjinore ekzistojnë vërtet dhe nëse po pse.
Disa njerëz vënë re se simptomat e tyre nisin të përmirësohen kur stinët fillojnë të ndryshojnë dhe kur afrohet pranvera. Por kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk kanë shumë gjëra në dorëgjatë muajve të dimrit, që mund t’i ndihmojnë ata të përballen me simptomat e tyre.
Për njerëzit e prekur nga SAD, trajtimet kryesore të rekomanduara përfshijnë ndërhyrje psikologjike (si terapitë e të folurit) apo marrjen e ilaçeve (siç janë anti-depresantët). Hulumtimet tregojnë se terapia konjitive e sjelljes (e cila fokusohet në sfidimin e mendimeve tona shqetësuese dhe ndryshimin e sjelljes sonë) është një trajtim efektiv për SAD.
Në një studim, studiuesit treguan se terapia konjitive e sjelljes (CBT), shoqërohej me një depresion dukshëm më të ulët kur u përdor një vit më vonë, krahasuar me terapinë me dritë (që përfshin uljen përpara ose poshtë një kutie e cila lëshon një dritë shumë të ndritshme, për rreth 20-30 minuta ose më shumë në ditë).
Një pjesë kyçe e CBT është mbështetja e pacientëve tek një teknikë të quajtur aktivizimi i sjelljes, e cila synon të përmirësojë gjendjen emocionale duke i inkurajuar njerëzit qëta strukturojnë ditën e tyre dhe të përfshihen në aktivitete kuptimplote dhe të këndshme, si për shembull një hobi.
Po ashtu studimet tregojnë se disa anti-depresantë (veçanërisht SSRI) mund të jenë veçanërisht efektivë në trajtimin e simptomave të SAD. Terapia e dritës është gjithashtu duke u shqyrtuar si një trajtim për SAD. Por përveç kërkimit të ndihmës profesionale, ka disa gjëra të tjera që mund të bëjnë njerëzit, për t’u përballur me SAD.
Dalja jashtë dhe marrja e dritës natyrale të ditës, është një nga udhëzimet e ekspertëve. Sipas një studimi, marrja e më shumë drite natyrale gjatë ditës mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave. Studiuesit e studimit, iu kërkuan pjesëmarrësve që të dilnin çdo ditë nga 1 orë shëtitje në natyrë, ose të përdornin një kuti me një dritë artificiale me dozë të ulët për 30 minuta në ditë për një periudhë 1-javore.
Pjesëmarrësit që dilnin çdo ditë shëtitje, treguan përmirësime të konsiderueshme në të gjitha simptomat e depresionit, krahasuar me ata të ekspozuara ndaj dritës artificiale. Ndërkohë, hulumtimet tregojnë gjithashtu se faktorët e stilit të jetesës (si nivelet e stërvitjes fizike dhe dieta), mund të luajnë një rol të rëndësishëm si në shkaktimin ashtu edhe në menaxhimin e depresionit.
Kur bëhet fjalë për SAD në veçanti, ka disa prova që sugjerojnë se ushtrimi (vetëm ose e kombinuar me terapinë me dritë) mund të përmirësojë simptomat. Sërish është ende e paqartë pse ndodh kështu. Por hulumtimi ka treguar se kjo mund të lidhet me ndryshimet në ritmin tonë cirkadian. Bota.al