Do të heqim Ballkanin e Hapur, Berisha: Do të rrisim buxhetin për bujqësinë

101

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ishte i ftuar në një takim të organizuar nga sindikata e fermerëve në Lushnje.

Në fjalën e tij, Berisha tha se do të ketë një rikthim të fuqishëm te grantet për bujqësinë, ndërkohë që do të rritet buxheti për këtë sektor.

Berisha tha se ‘thembra e Akilit’ qëndron te rrëzimi i Ballkanit të Hapur, i cili është shumë i rrezikshëm për fermerët shqiptarë.

“Ne rikthehemi fuqishëm te sistemi i granteve. Ne do të subvencionojmë dhe ky subvencionim, ju garantoj që të paktën buxheti për bujqësinë do të jetë mbi mesataren e buxhetit të rajonit.

Sot ne kemi një buxhet dy herë më të ulët se Kosova dhe vendet e tjera përreth. Pra ne do të rrisim detyrimisht dhe që në vitin e parë buxhetin për bujqësinë.

Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë për të zgjeruar sipërfaqen e tokës, ju do çelur toka të reja, por duke mbjellë kodra e shpate me dru frutorë, sepse terreni ynë është i tillë.

Në Shqipëri e gjithë toka është me vlerë. Atë që nismë që morëm për ullinjtë, do ta vazhdojmë me drutë arrorë dhe frutorë.

Do të subvencionojmë blegtorinë dhe do të vendosim subvencione për kokë. Një gjë ju garantoj: fermeri nuk do të ketë asnjë taksë në shitjet e tij. Shteti nuk do i marrë atij asnjë taksë për shitjet.

Shteti do i paguajë atij të gjithë taksat që ka paguar në blerjet e tij. Ky nuk është standard utopik, por është standard i BE-së.

Asnjë shqiptar nuk humbet nga ky standard, përkundrazi, fitohet më shumë. Fiton ekonomia.

Do të kompensohet çdo shpenzim dhe taksë e juaja në blerje. Nëse Shqipëria qëndron në projektin e integrimit në BE, ne do të bëjmë hapat më të para në përgatitjen tuaj për këtë bashkim dhe kjo është e domosdoshme.

Sikundër ne, ju garantoj se Ballkanin e Hapur do e hedhim poshtë, pasi është një nismë shumë e rrezikshme për fermerët tanë, pasi duhet të krahasoheni me fermerë që marrin subvencione të mëdha nga qeveria serbe.

Do të vendosim sistemin evropian të marrëdhënies së agronomit me fermerin. Sot janë me qindra fermerë që nuk e kanë shitur vajin e ullirit,” tha Berisha.