Do të zgjidhet kryetari i ri i FRPD, Basha do të takohet sot me grupin e punës për organizimin e zgjedhjeve, Këlliçi kundër

100

Kryedemokrati Lulzim Basha ditën e sotme në orën 11:00 do të takojë grupin e punës për procesin e zgjedhjeve në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.

Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga: Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko, Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati dhe Anita Doçi.

Shpallja e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka agravuar edhe më shumë situatën në selinë blu.

Kreu aktual i FRPD, Belind Këlliçi doli kundër vendimit të Bashës, duke e cilësuar atë si nul.

Zgjedhjet në këtë forum vijnë dy vite pas mbarimit të mandatit të Këlliçit.

Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Vendimi i kryedemokratit Basha për të shpallur zgjedhjet për drejtimin e Forumit Rinor të PD erdhi 48 orë përpara se Sali Berisha të zhvillojë një takim me të rinjtë e kësaj strukture të PD.