‘Duhet ti japim fund kaosit’/ BE: Paketë të re ligjore për gjigantët e teknologjisë

169

Subjekt i një pakoje të re ligjore të hartuar nga Bashkimi Europian do jenë gjigantët e teknologjisë së informacionit.

Sipas informacioneve, parashikohen kufizime për përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve dhe gjoba të mëdha nëse firmat nuk binden.

Firmat e mëdha të teknologjisë së informacionit, si Google, Facebook, Twitter apo Youtube do të duhet të japi llogari çdo vit për luftën që bëjnë për të hequr përmbajtjen e paligjshme dhe të dëmshme. Kjo është pjesë e një pakete ligjore të prezantuar nga Komisioni Europian.

Kufizime të reja do të ketë edhe për përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve. Gjithashtu firmat ndalohen që të rendisin së pari produktet e tyre në motorët e kërkimit.

Rregullat synojnë për të qeverisur tregun dixhital të Bashkimit Europian dhe në pakon ligjore janë përfshirë edhe gjoba të mëdha apo ndarje të kompanive nëse shkelet ligji.

Në rast se refuzojnë të binden, gjigantët e teknologjisë do të detyrohen të paguajnë si gjobë 10 për qind të xhiros në tregun europian.

Komisionerja e BE-së për Konkurrencën Margrethe Vestager e përshkroi nismën e Brukselit si “një gur themeli për ta ngritur Europën në nivelin e epokës dixhitale.

“Na duhen rregulla për t’i dhënë fund kaosit,” tha Vestager.

Komisioneri për Tregun e Brendshëm Thierry Breton shtoi se ligjet janë hartuar me qëllim që të zbatohen “shumë shpejt” sapo të hyjnë në fuqi.

Gjiganti amerikan Google u ankua menjëherë dhe tha se ligji është hartuar për të ndëshkuar vetëm disa firma.