DW: Gjermania po përpiqet deri në minutën e fundit që të çojë përpara çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

247

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Adebahr, tha të mërkurën (02.12) në konferencën e rregullt në Berlin se po punojmë me intensitet të plotë për çeljen sa më shpejt të negociatave.

“Këshilli i BE-së tha në mars të këtij viti që të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhe qëllimi ynë mbetet që të fillojmë sa më shpejt me këto negociata. Ne jemi të mendimit se Bashkimi Evropian ka dhënë fjalën dhe këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë e BE-së dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kështu që ajo që di unë deri tani është se ende po bëhen konsulta intensive në Bruksel dhe në nivelin bilateral në vendet anëtare dhe se këto vazhdojnë. Ne nuk po dorëzohemi dhe duhet të arrijmë përparime”, tha Maria Adebahr, zëdhënëse e ministrisë së jashtme gjermane në përgjigje të një pyetjeje ndaj korrespondentes së DW në Berlin.

Adebahr nuk tha nëse do të miratohet kuadri negociues me Shqipërinë: Ne dëshirojmë që këto negociata të fillojnë sa më shpejt, tha Adebahr. Një ditë më parë Euronews Albania kishte publikuar draftin e takimit të Këshillit të Ministrave të Evropës që do të mbahet në 8 dhjetor të këtij viti. Aty thuhej se vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të shtyhej për në mars të vitit të ardhshëm. Por deri DW mësoi nga burime të mirëinformuara se as takimi i sotëm i ambasadorëve të BE-së, ku do të trajtohej kjo çështje nuk solli një rezultat.

Shkëputje e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut

Qarqe diplomatike nga Berlini, i thanë DW se aktualisht po bëhet një përpjekje që të miratohet së paku korniza negociuese me Shqipërinë, pavarësisht nëse do të arrihet një kompromis mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo është një ide e sekretariatit të Këshillit të BE-së, e cila mbështetet edhe nga Gjermania. Por qarqet i thanë DW se ka një sërë vendesh skeptike ndaj këtij propozimi.

Vëzhgues në Berlin e Bruksel mendojnë se miratimi i kornizës negociuese me Shqipërinë, edhe pse bëhet fjalë për një akt me natyrë teknike, do të dërgonte një sinjal jo të mirë ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit aktualisht pengohet nga Bullgaria për shkak të një grindjeje për përkatësinë historike të gjuhës dhe kombit. Ndërsa për rastin e Shqipërisë vendet skeptike janë të pakënaqura edhe për faktin, që nuk janë përmbushur parakushtet e vëna nga BE-ja, për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Kancelarja Angela Merkel. në fillim të javës ishte shprehur e gatshme për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut qysh brenda këtij viti, ndërsa me Shqipërinë, ajo tha se nuk mund ta premtonte se do të arrihej qysh këtë vit, pro së shpejti.

/DW