EMRAT/ Dyshohet se shpërndanin kanabis dhe heroinë në Tiranë, arrestohen pesë persona

47

Pesë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës nën akuzën e shpërndarjes së drograve të forta.

Në kuadër të operacionit të koduar “Kompleks”, policia ka sekuestruar një sasi lënde narkotike heroinë e ndarë në disa doza, 2000 euro dhe armatime.

Në pranga janë vendosur shtetasit Shkëlqim Palushi 24 vjeç, Xhekson Kolezi 23 vjeç, Geraldo Zyberi 23 vjeç, Armandi Diçe, 30 vjeç dhe Emiljan Dyrmishi, 26 vjeç.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të rinjtë dyshohet se shpërndanin kanabis dhe heroinë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike të cilën nuk e ka bërë të ditur, 2000 euro, 2.600.000 lekë, një pistoletë, 10 telefona celularë dhe një automjet me të cilin lëviznin për të shpërndarë lëndën narkotike.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompleks”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Strukturat e Hetimit në DVP Tiranë, pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihen në pranga 5 persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një sasi heroine e ndarë në doza, 2.600.000 lekë të rinj, 2 mijë euro, peshore elektronike, 10 aparate celular dhe një automjet.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në provat e grumbulluara, si rezultat i një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Strukturave të Hetimit në DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor “Kompleks”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:  Sh. P., 24 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”;

Xh. K., 23 vjeç, G. Z., 23 vjeç, A. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e shpërndarjes  së lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe cannabis sativa, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë, 2.600.000 lekë të rinj dhe 2000 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, një sasi lënde narkotike heroinë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 10 telefona celular, një automjet që përdorej nga të arrestuarit, për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, si dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.