Enver Hoxhaj, kandidat për Kryeministër i Kosovës

218

Partia Demokratike e Kosovës ka kandiduar Enver Hoxhajn për pozitën e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Në një konferencë për media, Uran Ismajli nga kjo parti, ka thënë se Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ai ka një përvojë të gjatë institucionale e politike, njofton REL.

“Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi dhe shtet-ndërtim”.

Ismajli ka thënë se PDK-ja hyn në këto zgjedhje me program të qartë për nevojat e qytetarëve dhe me një ekip të gatshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe politike të Kosovës.

Aktualisht, Hoxhaj është duke ushtruar detyrën e kryetarit të PDK-së pasi Kadri Veseli ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, për t’u përballur me drejtësinë në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Ai gjendet në paraburgim pasi i është konfirmuar aktakuza për krime lufte sikurse, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Salih Mustafës.

Kujtojmë se zgjedhjet në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u zgjodh në mënyrë jokushtetuese.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”.