Eurodeputeti gjerman: Mbrojtja e kafshëve, kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

79

Eurodeputeti gjerman, Martin Buschmann, me anë të një postimi Facebook, u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të ndalojnë “vrasjen masive të qenve të rrugës”.

Sipas tij, kjo është një çështje thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Si një kandidate për anëtarësim, Shqipëria duhet të ndjekë edhe rregulloret e BE-së për mbrojtjen e kafshëve”, shkruan ai në postimin e tij.

Eurodeputeti ka ngritur pyetjen nëse “Shqipëria po i plotëson kriteret për anëtarësim”.

“Shqipëria është afër fillimit të negociatave me BE-në. Megjithatë, duhet shtruar pyetja legjitime nëse ajo i plotëson kriteret”.

Në postimin e tij nuk kanë munguar as akuzat konkrete.

Buschmann vuri në dukje urdhrin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të rifilluar sterilizimin masiv, duke pretenduar se kjo u pasua nga një “vrasje masive e ligjshme e qenve”.

Sipas tij kafshët nuk sterilizohen, por vriten me injeksion acidi.

Kjo gjë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në fillimin e negociatave.

Animal Rescue Albania zbuloi në fillim të këtij viti, në një video të postuar në rrjetet sociale, se qenve të rrugës po u jepen injeksione vdekjeprurëse.

Kjo gjë shkaktoi një protestë në Tiranë.

Shqipëria është një vend kandidat për në BE që nga viti 2014, por deri më tani nuk e ka arritur ende.

Përparimi i vendit shoqërohet me atë të Maqedonisë së Veriut fqinje – e cila është frenuar nga një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë.