Shqipëria do të përballet nesër në mbrëmje ndaj yjeve të Anglisë. Finalistë të Kampionatit Europian dhe futbollistë që luajnë me klubet më të forta në botë.
Duke ditur forcën e tyre, trajneri Edi Reja po projekton skemën dhe formacionin që do t’i bëjë ballë një skuadre si kombëtarja angleze.
Deri sot janë zhvilluar tri seanca stërvitore. Italiani ka ndjekur nga afër gjendjen e lojtarëve të tij dhe në bazë të kësaj ai ka provuar dy skema për ndeshjen e nesërme.
E para është njësoj si me Poloninë, një 5-3-2, dhe tjetra është një 3-4-3, ku sakrifikohet një nga mesfushorët.
Në portë, edhe pse Strakosha ka luajtur në Ligën e Europës me Lacion dhe ka bërë paraqitje të mira, Reja pritet t’i besojë Etrit Berishës, që do të ketë shumë punë me anglezët.
Nëse i referohemi formacionit 5-3-2, lojtarët e mbrojtjes mendohet të jenë Hysaj nga e djathta, Ismajli, Kumbulla dhe Veseli në treshen qendrore dhe nga e majta Lorenc Trashi.
Mesfusha pritet të rreshtohet me Baren, Gjasulën dhe Bajramin, ndërsa pjesa e sulmit, me mungesën e Brojës, mund të themi se Cikalleshi dhe Uzuni do të jenë titullarët dhe në stol si sulmues do të jetë vetëm Bekim Balaj.
SKEMA 2 – Ndërsa i përket rreshtimit 3-4-3, siç e ka provuar edhe trajneri Reja në stërvitje, treshja e mbrojtjes mbetet e pandryshuar: Ismajli, Kumbulla, Veseli.
Nga katër lojtarët që do të jenë në mesfushë, do të sakrifikohet një mesfushor dhe me shumë mundësi mund të jetë Bajrami dhe Hysaj kalon djathtas, por më pak i avancuar, majtas Trashi dhe në qendër Bare e Gjasula.
Ndërkohë, një lojtar i shpejtë i shtohet Cikalleshit e Uzunit dhe ai mendohet të jetë Odise Roshi. Me këtë skemë do të mbaheshin në stol për pjesën e dytë të takimit lojtarë si Çekiçi dhe Bajrami, pasi dihet edhe ritmi i lartë që ka në lojën e saj kombëtarja angleze.
ATMOSFERA – Kuqezinjtë duken në humor para kësaj sfide, edhe pse ajo është e një shkalle vështirësie shumë të lartë.
Kjo shfaqej qartësisht në një video të publikuar, ku shiheshin lojtarët që nuk kursenin batutat me njëri-tjetrin edhe mes ushtrimeve të nxehmjes.
Që në fillim shfaqej Doka, teksa pastronte këpucët e Cikalleshit, nga i cili priten golat kuqezi, ndërsa Bare sinjalizonte kameramanin që të filmonte Roshin dhe përgatitjet e tij të veçanta.