Frika nga lufta boshatis marketet në Tiranë, Qytetarët kërkojnë miell dhe vaj, kripa shitet me koli

140

Raftet me produkte ushqimore bazike te marketit ne Tirane, i boshatisur
Lufta që po zhvillohet prej tetë ditësh në Ukrainë ka futur botën në një rend të ri. Me të drejtë shumë liderë perëndimorë janë shprehur se pas kësaj lufte, bota nuk do të jetë më njësoj. Kriza e çmimeve ka prekur shtetet evropiane, padyshim dhe vendin tonë.

Fillimisht rritja e çmimeve u reflektua te nafta, e cila për herë të parë ka shkuar në 220 lek/litri në Shqipëri, e më pas te mielli. Në disa qytete, pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të miellit kanë parë fluks të lartë blerësish, të cilët kanë nxituar të krijojnë rezerva në shtëpitë e tyre.

Newsbomb.al ka folur me pronaren e një marketi privat në Tiranë, për t’u njohur më nga afër me realitetin që ka sjell lufta e Ukrainës. Çmimet nuk janë rritur në biznesin e saj edhe pse kërkesa është shumë e lartë dhe raftet janë boshatisur. “Më kujton kohën e pandemisë, kështu ishte dhe atëherë”, shprehet ajo.

Ne kemi parë nga afër raftet dhe në to kanë mbetur vetëm disa artikuj. Vaji kërkohet shumë thotë pronarja, kurse sheqerin dhe kripën e blejnë me koli. “Duan shumë dhe miellin me thasë”, na tregon duke bërë me dorë nga raftet ku artikujt e mbetur numërohen me gishta./asutimes.com