Fundoset gomonia me emigrantë në brigje, mbyten tre fëmijë

74

Katër persona, përfshirë tre fëmijë, janë mbytur pasi një gomone që i transportonte nga Turqia në Greqi u fundos, sipas rojës bregdetare greke.

Incidenti ka ndodhur të martën, 26 tetor në ishullin grek të Kios, në detin Egje.

 

“Në atë kohë kishte erëra të forta,” tha roja bregdetare në një deklaratë.

Njëzet e dy persona; 14 burra, 7 gra dhe 1 fëmijë u shpëtuan dhe 1 person besohet të jetë i zhdukur, sipas rojës bregdetare.

Kombësia e tyre nuk u bë publike menjëherë.

“Anija në fjalë kishte lundruar nga bregu turk i ngarkuar me një numër të madh pasagjerësh. Ky fakt, në ndërthurje me kushtet e pafavorshme të motit, çoi në fundosjen e gomones”, tha roja bregdetare.

Ai vuri në dukje se asnjë nga pasagjerët nuk kishte veshur jelek shpëtimi.

Dhjetë anije, duke përfshirë anijet patrulluese të rojës bregdetare, si dhe anije peshkimi aty pranë, dhe dy helikopterë ndihmuan në operacionin e shpëtimit.

Ministri grek i Migracionit, Notis Mitarachi kishte thënë më herët se katër fëmijë u mbytën në incidentin e së martës.

“Ky është realiteti i shfrytëzimit të emigrantëve nga bandat kriminale në Egje”, shkroi Mitarachi në Twitter.

“Kontrabandë të paskrupullt që rrezikojnë jetët në barka të mbipopulluara dhe jo të sigurta në Kios”, shtoi ai, duke postuar një foto të një gomoneje të mbytur në det.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse anija ishte ajo e përfshirë në incidentin e së martës.

Athina fajëson Ankaranë

Greqia është një nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian për emigrantët dhe refugjatët që kalojnë nga Turqia fqinje me gomone të mbipopulluara.

Athina ka fajësuar Ankaranë se nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për të frenuar kontrabandistët që dërgojnë emigrantë dhe refugjatë me varka dhe gomone të pasigurta nga brigjet e saj.

Në vitin 2016, Turqia nënshkroi një marrëveshje me BE-në që synon të kufizojë ardhjen e emigrantëve dhe refugjatëve nga vendi në Evropë në këmbim të ndihmës financiare.

“Autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar shfrytëzimin nga bandat kriminale. Këto udhëtime nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin”, shkroi Mitarachi në Twitter.

Turqia, e cila strehon rreth katër milionë refugjatë, ka bërë vazhdimisht thirrje për një rishikim të marrëveshjes së vitit 2016, duke argumentuar se BE-ja nuk ka arritur t’i mbajë premtimet e përcaktuara në pakt.

Gati një milion njerëz, kryesisht refugjatë sirianë, mbërritën në BE në vitin 2015 pasi kaluan në ishujt grekë afër Turqisë.

Rreth 6,500 azilkërkues kanë mbërritur në Greqi këtë vit, shumica përmes kufirit të saj tokësor verilindor me Turqinë, sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR.