Gabimet që nuk duhet të bëni kur të votoni, gazetarja: Rezultati do disa javë që të dalë

507

Një ditë pasi Kolegji Zgjedhor vulosi vendimin që fleta e votimit do të jetë me numra dhe jo me emra, komisioneri Ilirjan Celibashi këshilloi qytetarët si të mos gabojnë kur t’u drejtohen kutive në 25 prill. Gazetarja e ABC, Esiona Konomi e ftuar në Radarin Informativ përballë Jonida Shehut, referuar sqarimit të Celibashit, përsëriti edhe njëherë se si duhet të votojnë qytetarët që fleta të mos bëhet e pavlefshme.

Votuesi mund të zgjedhë partinë ose koalicionin dhe vetëm një kandidat të kësaj partie ose koalicioni. Votuesi ka të drejtë të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin nëse nuk dëshiron që ti japë parapëlqyese një kandidati. Fleta e votimit është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm kandidatin.

Votuesi nuk mund të zgjedhë një parti apo një koalicion dhe kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër. Gjithashtu nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë apo dy parti. Një tjetër gjë që duhet të bëjnë kujdes votuesit lidhet me vendosjen e kryqit apo plusit, pra shenjës te partia apo kandidati që preferojnë që të jetë brenda kuadratit. Shenja duhet të jetë në të njëjtin resht.

Votuesit duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit që ata dëshirojnë të zgjedhin përpara se të shkojnë te kutia e votimit. Për të ndihmuar votuesit në çdo qendër do të vendosen postera të mëdhenj se çfarë numri ka secili prej kandidatëve.

Por kur do të dalë rezultati? Gazetarja Esiona Konomi thotë se fillimisht do të dalë rezultati për forcën fituese ndërsa më pas kutitë do të rihapen për të numëruar votat parapëlqyese për kandidatët brenda partive. “Procesi do të jetë më i gjatë, së pari do të numërohen vetëm votat për partinë.

Do të shpërndahen mandatet në nivel kombëtar, kutitë do të mbyllen dhe më pas do të rihapen për shpërndarjen mes kandidatëve. Kjo fletë ka edhe riskun. Do të zgjasë disa javë. Kandidatët vetë nuk kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin për rinumërim, vetëm partia mund ta apelojë” tha Esiona Konomi. / db/ Abcnews.al