Gruaja e nxjerr nga shtëpia, prej një viti burri jeton në kotecin e pulave

80

Emisioni “BOOM” udhëtoi drejt Beratit për të sjellë denoncimin e shtetasit Bujar Qama. Me mundin e një jete ka ngritur një shtëpi modeste, por sot ai ka përfunduar në një dhomë në cep të oborrit që dikur mbante pulat.

Baba i tre fëmijëve, tregon se u martua me bashkëshorten e tij në 1990. Gjithçka shkonte mirë deri para tre vitesh kur gjendja shëndetësore e Bujarit u përkeqësua pasi vuan prej 12 vitesh nga diabeti dhe mbeti i papunë.

Këtu nisën edhe mosmarrëveshjet me bashkëshorten, e cila më pas do të kërkonte urdhër mbrojtje në gjykatë, duke e akuzuar të shoqin për dhunë verbale.

Por ndërsa urdhri i mbrojtjes ka përfunduar në dhjetor të 2017, ai nuk lejohet më të kthehet në shtëpi.

Bujar Qama: Jam drejtuar në BOOM sepse kam vajtur në gjykatë dhe polici dhe nuk më kanë zgjidhur problem. Jam martuar në ’90, me 3 shkurt.

Kalova mirë, me punë dhe sakrifica kam ngritur këtë shtëpi nga kati i parë që është dyqan, garazhi 200 metër, shtëpia që është 120 metër katrorë. Unë kam punuar tek Gruri dekorativ, nga aty kam shkuar tek Hidrocentralet. Me këto të ardhura kam ndërtuar këto shtëpi. Unë u sëmura, jam me diabet. Dhe tha boll e mbajta këtë burrë.

Mbi të gjitha ndarja erdhi se unë u sëmura, por edhe ekonomia. Ndoshta do dhe një njeri më të saktë nga unë, jam gjysmak, i papunë, invalid. Ky problem më ka ndodhur 3 vjet përpara, ra puna, ekonomia, sëmundja ime mbi të. Po bëj 12 vjet me diabet.

Filluan grindjet, gjej para, duhet të bëj qejfin fëmija, unë. Mosmirënjohja ndaj meje.Urdhrin e mbrojtjes gjykata e dha se u ankua që burri flet.

I ka thënë gjykata: Të ka qëlluar? Jo. Ka menaxhuar lekun, loz kompjuter, bixhoz, merret me drogë apo është i lokaleve?Jo ka thënë, vetëm se bërtet. Unë nuk dua asgjë nga ata, vetëm një dhomë të fus kokën. Të jetoj tamam si njeri, mos të jetoj si kafshë.

Në moshë të thyer tashmë, kushtet në cilat Bujari jeton janë çnjerëzore.

Qama: E kam bërë këtë banjo me qëllim që të mos futeshim brenda në shtëpi. Kur më nxorën nga shtëpia komplet këto i shkatërruan. Ka pasur ujë me rubinet, lavatriçe.

Që të mos laj unë rroba e hoqi dhe e futi brenda.Ndërpreu ujin. Edhe kafsha nuk jeton kështu, po bëj një vit e ca që jetoj këtu tamam si kafshë. Këtu kam mbajtur zogjtë. Sot jetoj unë. Në dimër më dha njëri një sobë që ndez zjarrin se është tmerr, është ftohtë. Nuk kam as ujë, i prishi gruaja. Marr ujë me bidona. Për tu larë mbush një fuçi poshtë.

Nuk kam vend për të larë një enë, ka trahanaja që ha unë. Ja buka që më është mykur. Këtë bukë hëngra që përfundova në spital, ishte errësirë nuk e pashë që ishte mykur se mi ndërprenë dritat. Dy frigoriferë në shtëpi dhe nuk kam asnjë këtu.

Dita e parë që po rri këtu që erdhët ju, se kam frikë të rri se mos më denoncojnë apo shpifin. Rri përjashta lokaleve, e di tërë Berati.

BOOM u interesua pranë komisariatit të Beratit për ti dhënë zgjidhje këtij rasti, por shefi i komisariatit thotë se policia nuk mund të bëjë asgjë deri në momentin që Bujari dhe bashkëshortja të ndajnë pasurinë.

Dhe kur jemi tek pasuria, shtëpia është ende në proces legalizimi tek ALUIZNI.

Shefi i komisariatit: Ju jeni i lirë të vini në ambientin tuaj, në familjen tuaj? E keni marrë iniciativën, keni vajtur me vullnet të lirë?

Bujari: Po. Ish-zonja i dha derës me forcë dhe më ka shtyrë.Kam ardhur këtu dhe më kanë thënë që nuk bëjmë dot si polici.

Shefi i komisariatit: Për sa kohë me vendim gjykate është përcaktuar që ju me zonjën me familjarët tuaj duhet të jetoni në të njëjtin ambient se nuk ka vendim gjykate për sa kohë ju jeni ndarë. Sa kohë që gjykata duhet të jepte një vendim kush do të administrojë dritaren, kush derën, kush banjon, kush kuzhinën, kjo punë ishte e zgjidhur ligjërisht. Policia do të ishte në ballë të luftës, inspektori do të ishte atje me këmbë në tokë e me dyfek në dorë e për ta zbatuar.

Për sa kohë gjykata nuk ka një vendim për ta ndarë atë banesë, se ju thoni që nuk ka certifikatë pronësie se është në proces ALUIZNI. Duhet të bëni përpjestim pasurie në mënyrë të vullnetshme të përbashkët.

Në kushtet kur ti e ke ndarë pasurinë, e ke ndarë ambientin, e ke krijuar kushtin, e ke krijuar komoditetin, policia të përgjigjet. Por që ne të vimë këtu në shtëpi dhomë e kuzhinë dhe të ndajmë këtë pjatë do të marrë kjo, këtë tepsi do marrësh ti, ligji nuk na e lejon. Marrëdhënia e policisë do të jetë abuzive.

Bujari: Pati shpresa të mëdha që të më jepnin ndihmë që të futesha në një dhomë të jetoj. Nuk e di çfarë do bëhet, nuk e di ku do të përfundoj.