Hyn në fuqi kërkimi ndërkombëtar, karabinierët kërkojnë Rezart Taçin në Milano, SPAK verifikon pasuritë në Shqipëri

54

Prokuroria Speciale SPAK ka nisur verifikimin e pasurive të biznesmenit Rezart Taçi në Shqipëri. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se është i përfshirë në një skemë të madhe të pastrimit të parave, bashkë me shtetas italianë dhe një zviceran.

Tre ditë më parë kunati i tij Artur Balla dhe truproja Bledar Lilo u arrestuan në Tiranë me urdhër të SPAK, vetë Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe më shumë se 18 milionë euro u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë.

Mësohet se urdhër-arresti ndërkombëtar ka hyrë në fuqi zyrtarisht, pasi karabinierët në Itali kanë nisur kontrollet në disa ambiente në Romë dhe Milano, ku dyshohet se qëndron biznesmeni shqiptar Rezart Taçi. Megjithatë, kontrollet janë mbyllur pa rezultat pasi Taçi nuk është gjetur.

Ky i fundit, vetë ka deklaruar pas arrestimeve të SPAK se po i bëhej padrejtësi dhe do të vinte në Shqipëri që të përballej me drejtësinë. Edhe kreu i Prokurorisë Speciale ka reaguar duke thënë se biznesmeni Rezart Taçi mund të vetëdorëzohet dhe të përballet me drejtësinë, duke “sqaruar të vërtetën e tij”.