“Jam 31 vjeçe, beqare dhe e lumtur! Ja ç’dua t’u them të gjithë atyre që u vjen keq për mua”

129

A mund të jetë një femër beqare dhe e lumtur njëkohësisht?

Sigurisht që këtë pyetje absurde e dëgjojmë shpesh ta bëjnë njerëz të ndryshëm, sepse edhe pse jemi në vitin 2018, ka një tendencë që njerëzit të supozojnë se nëse je femër dhe nuk ke një partner të qëndrueshëm, duhet të jesh e pakënaqur dhe aspak e lumtur, veçanërisht nëse i ke kaluar të 30-tat.

Edhe pse nuk ka absolutisht asgjë të keqe që të kesh dëshirën të jesh në një marrëdhënie, e kundërta është gjithashtu e vërtetë: Të qenit vetëm nuk do të thotë se je e dëshpëruar dhe për t’u kthyer te përgjigja e pyetjes absurde, PO mund të jesh e lumtur.

Megjithatë unë si një femër që i kam kaluar të 30-tat, has momente dhe situata nga më ndryshmet, opinione të njerëzve që shkojnë deri aty sa thonë se u vjen keq për mua. Heeeej njerëz nuk kam vdekuuuur! Jam beqare për qejfin tim dhe kjo gjë më jep liri pa fund.

Për të gjitha ju femra që ndiheni si unë, këtu keni disa situata me të cilat çdo femër beqare në të 30-tat i ka kaluar dhe si t’i përballoni:

“Presioni i familjes është një sfidë për mua”
Presioni i familjes dhe i shoqërisë vijon të jetë një betejë e përditshme për mua. Çdo bisedë shtëpie do të ketë lidhje me martesën dhe me faktin se koha po ikën dhe mua nuk më merr askush.

Çfarë bëj unë do të thoni ju? Ua kam bërë shumë të qartë prindërve (veçanërisht mamit) se nuk kam ndërmend të nxitoj të lidhem me dikë vetëm për t’u martuar. Nuk kam nevojë të martohem për të pasur, një shtëpi, apo edhe një fëmijë.

Kështu që kur gjendem përballë këtyre situatave unë i them vetes:

“Kjo është jeta ime. Unë jam ajo që po e jetoj, jo familja ime apo të gjithë të tjerët. Unë duhet të bëj atë që dua. Martesa ose një lidhje nuk janë ato që unë dua tani”.

“Të mos qenit çift, më jep liri”
Kur isha në të 20-tat pata lidhje me një djalë me të cilin mendoja se do të krijoja një familje. Por gjërat nuk shkuan ashtu si duhet dhe sot, fakti i të qenit vetëm më duket i natyrshëm.

Më në fund jam gati të njoh vetveten, kam zbuluar se çfarë më bën të lumtur dhe të përqendrohem në ato gjëra. Bëra miq dhe gjeta pasione të reja (si gatimi dhe puna).

Për mua, të qenit vetëm është një zgjedhje, dhe do ta bëj deri sa të takohem me dikë që do të më respektojë mua si femër dhe do të më dojë.

“Nuk dua të kem fëmijë sepse shoqja e fillores ka dy”
E vërteta është se të martohem dhe të kem fëmijë nuk është diçka për të cilën mendoj, të paktën për momentin. Për habinë e prindërve të mi, unë nuk jam në kërkim të një bashkëshorti. Tani për tani, përparësia ime është që të argëtohem. Për mua, misioni im në botë si një person i vetëm është i thjeshtë: Bëj atë që dua kur të dua!

Nuk dua të kem një fëmijë sepse shoqja ime e fillores që ka të njëjtën moshë me mua, ka dy tashmë.

Nëse dhe ti ndihesh si unë, mbaj mend këto gjëra: Mos e lejo veten të ndjesh këtë presion. Përkundrazi, dil me shokë dhe shoqe, merr pjesë në gjëra të tjera që të sjellin gëzim. Mos u thuaj jo gjërave të panjohura!

Nëse dashuria vjen, unë këtu jam dhe nuk kam ndërmend t’i nxitoj gjërat vetëm sepse vitet ikin.

Burimi: Iconstyle.al