Jozefina Topalli vendos ‘paqe’ me Bashën: Mandatet e mia do bashkohen me të djathtën për të rrëzuar Ramën

221

Kryetarja e Partisë më të re, Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit zbuloi se mandatet e fituara në këto zgjedhje do të shkojnë në ndihmë të së djathtës, por jo Partisë Demokratike.

Në një lidhje “Skype” me emisionin “Opinion”, Topalli tha se ajo është kundër 3 kryetarëve të partive të mëdha të vendit dhe se nuk i bashkon forcat me PD-në për shkak të liderit, Lulzim Basha.

Më tej, Topalli tha se nuk është një frymë e re në politikë, por një alternativë e pakorruptuar.

“Votat e elektoratit të djathtë do i kthehen të djathtës, duke iu shtuar mandateve të partisë tjetër, duke hyrë në një proces të ri për një kryeministër të pa korruptuar. Sepse ka një ndryshim shumë të madh mes lidershipit që mban emrin e PD dhe mënyrës, parimeve, vlerave që unë besoj.

Prandaj ju thashë mandatet që do të marri “Lëvizja për ndryshim” do i bashkohen mandateve të së djathtës, për të krijuar një qeveri të së djathtës për të rrëzuar Edi Ramën, por bashkë me të me largu edhe dy kryetarët e tjerë të partive që janë faktorë kryesorë me të cilët herë pas here ka qeverisur Edi Rama dhe që kanë po aq përgjegjësi që e kanë mbajt Edi Ramën 8 vite në pushtet.

Unë e kuptoj që ka nga ata që nuk dëshirojnë që të marrim mandate. Unë jam optimiste sepse ne po përjetojmë një situatë krize, politike dhe ekonomike. Unë po flas për Lëvizjen për ndryshim, që në emrin e saj ka 2 fjalë kyçe, Lëvizje dhe ndryshim.

Ai ndryshim i kushtetutës në 2008 nuk çonte në vrasjen e demokracisë. I jepte fuqi më të mëdhaja kryetarit të Partisë, por jo që t’i shkilte të gjithë të drejtat. Ka një përqindje shumë të madhe të qytetarëve që ndihen të tradhëtuar nga Edi Rama.

“Unë nuk jam frymë e re, unë jam ndryshe. Nuk jam e korruptuar. Unë nuk kam marrë pjesë në tendera, nuk kam marrë vila. Kam qënë kryetare e Parlamentit dhe si e tillë kam pasur një kompetencë për të moderuar deputët brenda asaj salle.

Është imperative në këtë moment për të marrë vendime të forta kundër korrupsionit, për të menaxhuar taksat e shqiptarëve dhe për të pasur një drejtësi më sociale. Atyre i mungon një alternativë. Ne jo vetëm ju japim një alternativë ku shtetin po e lënë shumë qytetarë, buxheti po boshatiset,” tha Topalli./shkoder.info