Kërkoi ndryshimin e masës, Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës

93

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka miratuar vendimin shkallës së parë, duke lënë në fuqi rrëzimin e kërkesës për ish kryeprokurorit Adriatik Llalla për pezullimin e dënimit me burg.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës kërkoi pezullim të dënimit me dy vite burg.

KËRKIMET PËR ISH-KRYEPROKURORIN

Menjëherë pasi u firmos procesverbali dy jave më parë, pasi Llalla nuk u gjet në shtëpi, këto të dhëna i kaluan SPAK, pasi ligji parashikon shpalljen në kërkim kombëtar, që do të thotë se Policisë do t’i duhet të kryejë për tre muaj kërkime brenda territorit shqiptar.

Por fakti që sistemi TIMS dëshmon se zyrtarisht Adriatik Llalla është larguar nga Shqipëria që më 9 shtator dhe nuk ka një datë tjetër hyrjeje në vendin tonë, Policia vendosi të kryejë shpalljen në kërkim ndërkombëtar, nëpërmjet zyrës së Interpol Tiranës.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Llalla të vetëdorëzohet, gjithmonë nëse largimi i tij jashtë vendit në prag të shpalljes së vendimit nga Apeli, nuk ka qenë një arratisje.

DËNIMI I ADRIATIK LLALLËS

Rreth një muaj më parë, Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Po ashtu vendimi përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë së ish-kryeprokurorit.

Në një prononcim për mediat avokati Sokol Hazizaj bëri me dije se Llalla ndodhet në regjim spitalor, ndërsa e konsideroi vendimin si të padrejtë.