Konflikti Rusi-Ukrainë, ambasadori shqiptar në OKB: Një vend sovran nuk merr vendime nën kërcënimin e armëve

101

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, tha se lëvizjet e trupave ushtarake të Rusisë rreth Ukrainës janë tepër shqetësuese. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Ukrainës.

“Këto lëvizje te trupave ruse kanë shkaktuar shqetësim, sidomos për ne në Europë. Zhvillimet e fundit në kufi janë të përsëritura. I kemi parë në Gjeorgji më parë, me kosto në jetë njerëzish. Rusia mund të luajë një rol më të mirë për ta bërë botën më të sigurt. Por po bën të kundërtën”, tha Hoxha në fjalën e tij.
“Vendet janë dhe duhet të jenë të lira t’i bashkohen kujtdo organizate që duan. Vendet sovrane marrin vendime me vullnet të lirë, jo nën kërcënimin e armëve. Shqipëria beson se kjo krizë duhet të zgjidhet përmes bisedimeve. Të gjithë duhet të mbajmë në vëmendje që kriza ka impakt në të gjithë Europën”.

Në selinë e OKB-së në Nju-Jork, po zhvillohet një mbledhje e hapur për publikun, lidhur me atë që po ndodh në Ukrainë. Rusia akuzohet se po planifikon pushtimin e vendit, ndërsa Moska i hedh poshtë akuzat, por kërkon garanci që Ukraina të mos i bashkohet NATO-s.

Përgjatë 2 viteve të ardhshme, Shqipëria do të jetë pjesë, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë së OKB-së.