Krimi në Fier, policia: Autori e vrau 8-vjeçarin me kazmë në kokë, si e zbuluam

39

Policia e Fierit ka dhënë detaje të tjera mbi ngjarjen e një dite më parë ku u rrëmbye dhe u vra një 8-vjeçar nga fqinji i tij, Klodian Çalamani.

Blutë e Fierit njoftojnë se autori e ka goditur të miturin me kazmë në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen.

Më pas, Çalamani e ka groposur 8-vjeçarin në oborrin e shtëpisë së tij. Në vendngjarje policia ka gjetur rrobat e autorit me njolla gjaku si dhe disa mjete të tjera të cilat janë sekuestruar si provë materiale.

Të gjitha sendet e sekuestruara janë dërguar në laborator për ekzaminime mjekësore.

Gjithashtu policia e Fierit ka dhënë një sqarim mbi dinamikën e plotë të ngjarjes që nga denoncimi i të ëmës së vogëlushit në polici për humbjen e djalit, e deri tek provat e çuan në identifikimin dhe arrestimin e autorit të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Ditën e djeshme, rreth orës 14:40, jemi njoftuar me telefonatë në Sallën Operative, nga shtetasja F. V., se djali i saj i mitur i vitlindjes 2013, kishte dalë që në orën 08:00 nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Më pas, rreth orës 15:30, kjo shtetase është paraqitur për të bërë kallëzim për humbjen e djalit të saj.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit nëpërmjet telefonatës që ka bërë kjo shtetase janë organizuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, për kërkimin dhe gjetjen e djalit të mitur. Duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, shërbimet kanë marrë informacion, kanë punuar për grumbullimin dhe administrimin e provave dhe si rezultat kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, pas kontrollit në ambientet e banesës së shtetasit Klodian Çalamani, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë në oborrin e banesës së këtij shtetasi.

Shërbimet e Policisë menjëherë kanë bërë kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.

Shtetasi Klodian Çalamani dyshohet se e ka goditur me send të fortë (kazmë) në kokë, fëmijën e mitur dhe më pas e ka groposur atë në oborrin e banesës së tij. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një lopatë, një kazmë, një biçikletë, rroba të autorit dhe njolla gjaku, të cilat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Klodian Çalamani, 38 vjeç, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, ndaj të miturit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

Nga ana e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.

SI NDODHI NGJARJA

Mateo Vasiu u vra në mënyrë makabre nga fqinji i tij, i cili dyshohet se e ka rrëmbyer të miturin. Pas denoncimit të nënës, Florindës, forcat e rendit janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur hetimet për rastin.

Kamerat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçari, i cili kishte biseduar për disa momente dhe kishte pedaluar në rrugët e lagjes me biçikletën e atij që do të bëhej vrasësi i tij. Pas këtij momenti, Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e 38-vjeçarit, Klodian Çalamani, i cili sipas burimeve jetonte i vetëm në banesë.

Trupi i pajetë i vogëlushit është gjetur i groposur në një nga cepat e banesës së autorit të dyshuar të krimit i mbuluar me baltë.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë”, sqaroi Policia.

Viktima ka dy plagë të dukshme në pjesën e kokës, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me kazmë. Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë saktë shkaqet e vdekjes tragjike të 8-vjeçarit.