Edhe pse kryesia e Partisë Demokratike vendosi që Kuvendi Kombëtar të zhvillohet më 18 dhjetor, Sali Berisha, deklaroi në foltoren e Fushë-Krujës, se Kuvendi do të mbahet më 11 dhjetor.
Ai tha më tej, se me vendimet e marra në kuvend do të synohet një parti më e hapur dhe jo siç ndodh tani, që anëtarët e kryesisë dhe Sekretari i Përgjithshëm, zgjidhen pa vota.
“Kurrë në PD nuk ka ekzistuar diskutimi për manipulimin e votës. A do të qëndrojmë në nivelin e para 2013 apo do të kapim nivele të tjera, unë jam me idenë që duhet të vijojmë përpara. Do të rikthejmë primaren për t’i dhënë fund kohës kur i zgjedhuri thotë se unë jam i kryetarit. Ata janë të të gjithë të anëtarëve, edhe unë. Jam deputet i anëtarëve të PD dhe të gjithë qytetarëve që na kanë votuar. Kjo ndodh kur kryesia e anëtarët të zgjidhen me votën tuaj, kur këshilltarët të zgjidhen me votën e anëtarëve. Atëherë vendosim paqe të brendshme, forcë në parti, vendosim besim. Kanë nisur të huajt të thonë që ky njeri (Basha) s’ka asnjë të drejtë të flasë për votën. Në statut ka shkruar që Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet me votë të fshehtë. Sekretari i Përgjithshëm është zgjedhur pa asnjë votë. Nga anëtarët e kryesisë 15 janë votuar me votë, të tjerët jo siç duhet.
Ky e ka shndërruar votën në minorancë në PD. SHBA janë vendi më i fuqishëm të botës për liritë që i garantojnë qytetarëve. Ne jemi në fillim të shpalosjes. Kuvendi i 11 dhjetorit, do të jetë Kuvend që do të ndajë PD nga një e shkuar e hidhur. Ne do të hapemi, do të hapemi ndaj vlerave. Do të riformulojmë programin tonë. Ne i kemi mbijetuar rebelimit komunist. Ne jemi parti që do të rikthejmë vlerat në program, dinjitetin njerëzor, interesin kombëtar. Ju e shihni e jeni dëshmitarë se ç’po ndodh me interesin e qytetarëve në këto kohë. Prej 1 jave fermerët e Lushnjës janë në protestë, sepse Ballkani i Hapur ia hoqi TVSH-në. Çfarë interesi kombëtar ke të rrethosh Kosovën me armiqësi, të Beogradit, Shkupit dhe Tiranës”, tha Berisha.