Ky vend detyron burrat të paguajnë bashkëshortet për punët e shtëpisë në rast divorci

130

Një gjykatë divorci në Pekin ka urdhëruar një burrë që të kompensojë gruan e tij për punët e shtëpisë që ajo bëri gjatë martesës së tyre. Gruaja do të marrë 50,000 juanë (7,700 dollarë) për pesë vjet punë të papaguar.

Rasti ka gjeneruar një debat të madh në internet mbi vlerën e punës në shtëpi, pasi disa njerëz thonë se shuma e kompensimit ishte shumë e vogël.

Sipas të dhënave të gjykatës, burri i identifikuar me mbiemrin Chen kishte bërë kërkesë për divorc vitin e kaluar nga gruaja e tij, pasi u martuan në vitin 2015. Ajo hezitoi të divorcohej në fillim, por më vonë kërkoi kompensim financiar, duke argumentuar se Chen nuk kishte marrë përsipër asnjë punë shtëpie ose përgjegjësi për kujdesin e djalit të tyre.

Gjykata e Rrethit Fangshan të Pekinit vendosi në favor të saj, duke e urdhëruar Chen t’i paguante detyrimin ushqimor mujor prej 2,000 juan, si dhe pagesën e njëhershme të 50,000 juanve për punët e shtëpisë që ajo ka bërë.

Kryetari i trupit gjykues u tha gazetarëve të hënën se ndarja e pasurisë së përbashkët të një çifti pas martese zakonisht përfshin ndarjen e pasurisë së prekshme.

“Por punët e shtëpisë përbëjnë vlerë pasurore të paprekshme”, tha gjykatësi.

Vendimi u bë sipas kodit të ri civil në vend, i cili hyri në fuqi këtë vit. Sipas ligjit të ri, një bashkëshort ka të drejtë të kërkojë kompensim në një divorc nëse ai ose ajo mban më shumë përgjegjësi në rritjen e fëmijëve, kujdesin për të afërmit e moshuar dhe ndihmën e partnerëve në punën e tyre. Më parë, bashkëshortët që divorcoheshin mund të kërkonin një dëmshpërblim të tillë vetëm nëse ishte nënshkruar një marrëveshje paramartesore – një praktikë e pazakontë në Kinë.

Në mediat sociale, çështja ndezi debate të nxehta. Disa theksuan se 50,000 juan për pesë vjet punë ishin shumë pak.

“Unë jam pak pa fjalë, puna e një amvise me kohë të plotë po nënvlerësohet. Në Pekin, punësimi i një dadoje për një vit kushton më shumë se 50,000 juanë,” tha një komentues.

Të tjerët theksuan se burrat duhet të marrin më shumë detyra shtëpiake në radhë të parë. Disa gjithashtu u bënë thirrje grave që të vazhdojnë karrierën e tyre pas martese.

“Zonja, mos harroni të jeni gjithmonë të pavarura. Mos hiqni dorë nga puna pas martesës, jepini vetes rrugëzgjidhjen tuaj”, shkroi një përdorues i rrjeteve sociale.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), gratë kineze kalojnë gati 4 orë në ditë në punë të papaguar – afërsisht 2.5 herë më shumë se ajo e burrave. Kjo shifër është më e lartë se mesatarja në vendet e OECD, ku gratë kalojnë kohë dy herë më shumë sesa burrat në punë të papaguar.

Përshtatur nga BBC