Liruan të shumëkërkuarin për 10 mijë euro, arrestohen dy efektivë policie

84

Dy efektivë policie janë vënë në pranga pas një hetimi të kryer nga SPAK. Bëhet e ditur se ata kanë kapur shtetasin A.M, i cili ishte i dënuar me 10 vite burg, por më pas e kanë lënë të ikë, pasi i kanë marrë një shumë prej 10 mijë eurosh.

Sipas SPAK, në datën 10 Gusht 2021, punonjësit e policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, V.B. dhe G.LL., pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej personi në kërkim, e kanë lokalizuar atë dhe e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin. Pasi kanë negociuar me personin në kërkim A.M., punonjësit e policisë V.B.dhe G.LL. e kanë lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10.000 (dhjetë mijë) Euro.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykta e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 06 datë 30 Janar 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj punonjësve të policisë V.B. dhe G.LL., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal. Masat e sigurimit personal për dy punonjësit e policisë së shtetit u ekzekutuan sot me datë 31.01.2022 nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Po kështu nga gjykata është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit A.M., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.