Luan bilardo me mjekër, historia frymëzuese e 33-vjeçarit që ka lindur pa krahë

80

Muhamed Ikram, 33 vjeç, vë në shënjestër, përkul qafën dhe godet me mjekër, duke çuar topin me sukses në këndin e tavolinës së bilardos. Edhe pse ka lindur pa krahë, Ikram luan shumë mirë bilardo.

Në Samundri, një qytet rural në provincën Punjab, Ikram ka kaluar tetë vjet duke u praktikuar me mjekrën e tij dhe tani ai mund të luajë bilardo.

“Unë kam takuar lojtarë shumë të mirë bilardoje, të cilët më thonë se jam një gjeni i vërtetë dhe se mund të sjell famë të madhe në Pakistan”, tha Ikram për Reuters.

I lindur në një familje të varfër, Ikram ka qenë një fëmijë i privuar. Argëtimi i tij kryesor ka qenë të shikonte njerëz që luajnë biloardo, lojë të cilën askush nuk e mendonte se ai mund ta luante ndonjëherë.

Ai tregon se fillimisht nisi të praktikohej fshehurazi. “Ai shikonte me padurim lojën e djemve të tjerë dhe dëshironte të kishte krahë që të luante si gjithë të tjerët”, tregon nëna e tij.

Ikram thotë se njerëzit e vlerësojnë shpirtin e tij dhe disa restorante e lejojnë të hajë falas, me kamarierë vullnetarë për ta ushqyer me lugë.

“Zoti nuk më ka dhënë krahë, por më ka dhënë kurajo dhe unë e kam përdorur për të përmbushur ambicien time. Kështu që, askush nuk duhet të humbasë shpresën”, tha Ikram kur u pyet se çfarë do t’u thoshte të tjerëve me aftësi të kufizuara. / Tirana Post