Marrëveshja e detit dhe dokrrat e Edi Ramës?

220

 

Polemikë nga Rafael Floqi/ DIELLI

Z. Rama në këtë deklaratë mendoj se ju keni qenë konsekuent kur keni thënë se “Greqia po ushtron të drejtën e saj . Por Greqia ka të drejtë për këtë të drejtë ndërkombëtare aq sa ka dhe Shqipëria. But the devil is in the details” thonë amerikanët. Ku janë detajet çka pranon dhe nuk pranon Shqipëria dhe cilat janë kërkesat që ka paraqitur Greqia? Pse na i fshihni ato neve ”të llumit” që na dhemb Shqipëria?
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një gjuhë të ashpër pas zyrtarizmit që Greqia i bëri zgjerimit me 12 milje në detin Jon, për çudi, jo ndaj Greqisë, por ndaj shqiptarëve patriotë. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka publikuar edhe dokumentet e vitit 1990, ku sipas tij tregohet se Greqia bëri sot, atë që Shqipëria e ka bërë para 30 vitesh. Sipas tij, shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh, dhe kush e kundërshton zgjerimin e Greqisë, sipas tij, është llumi i shqiptarisë. Vërtet zoti Rama?
Po përtej mllefit tënd për këtë dhuratë me qymyr për Krishtlindje. Do të ishte vërtet për t’u gëzuar nëse Greqia do të kishte anuluar ligjin e Luftës siç kanë premtuar. Le ta marrim të vërtetë këtë që thua? Por ne që jemi dyshues, ne “llumi i shqiptarisë” që nuk duartrokasim “skënderbejtë” e rremë?
Po atëherë, o “Skënderbe” A s’ më thua, pse atëherë pse Greqia dhe Turqia po shkojnë drejt një përplasje e lufte të mundshme. Pse? Apo se siç thua ti “ Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Evropës, ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës, ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!”
Vërtet. po si e rrëmbeu Rusia, Krimenë në shek. e 21. Pa ma shpjego, o “Skënderbe”!?
Po pse Z. Rama po ta pranosh, se ne që ngremë pyetje me shqetësim për fatin e trojeve e deteve tona qenkemi “llumi i shqiptarisë”, edhe pse stërgjyshërit e mi e fisi im, kanë firmosur Pavarësinë e Shqipërisë dhe pse kanë krijuar Vatrën, edhe pse kanë shkruar e kanë ngritur zërin për masakrat greke të 1914, që asnjë historiani të Enver Hoxhës dhe të sotëm si shkon në mend. Ata që e kanë bërë Esat Pashën, Pugaçov shqiptar, dhe hordhitë e andartëve grekë që masakruan me mijëra shqiptarë të pafajshëm gra fëmijë në Kolonjën, Panaritin a Hormovën martire që nuk kanë sot as varre e monumente, e grekët që pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së dytë Botërore kanë varre të reja. Vërtet ata po luftonin Italinë, apo pushtonin Vorio-Epirin?
Unë nuk besoj, ashtu siç të akuzon Berisha, i cili ka dhe ai fajet e tij, se je një Spiromilo as një Zeograf bis i kohëve të sotme? Vetë ai u bë qesharak kur në një intervistë kohët e fundit tha po unë pranova 6 milje dhe jo 12 milje. Nuk dua të besoj? Nuk mund të them se je antishqiptar. Ashtu siç nuk mund ta kuptoj që ti të takosh një prift grek në New York, por nuk gjen kohë të takosh një shqiptar. Si e shpjegon këtë, o Skënderbe?
Nuk mund të them se je antishqiptar. Ashtu siç nuk mund ta kuptoj që ti të takosh një prift grek në New York, por nuk gjen kohë të takosh një shqiptar. Si e shpjegon këtë, o Skënderbe?


Por i vetëmbushur me vetë kënaqësinë tënde, a mendon që ne s’kemi të drejtë ta duam vendin tonë, dhe të bëjmë pyetjen, që e bën edhe ai diplomati dhe gazetari veteran dhe profesori im, Shaban Murati, sipas teje duhet të jetë injorant, që ka shkruar një libër mbi këtë çështje, që t’i as i hedhur sytë, kur thotë se “mund të barazohet me kufijtë e skandalit fakti tronditës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendosi ta dërgojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të ashtuquajturën “Çështja e detit” me Greqinë, në një kohë që Greqia zyrtarisht nuk e njeh juridiksionin e kësaj Gjykate Ndërkombëtare. A është e vërtetë kjo apo jo zoti Rama ? Përgjigju pra “llumit të shqiptarisë”?
Ajo që thua se “E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Kjo është e vërtetë. Po ku është manipulimi? Sipas Prof. Xhezair Zaganjorit ‘ Ne kemi korrigjuar. Konventa thotë se kur nuk ke një shtet tjetër përballë ke të drejtë t’i zgjerosh deri në 12 milje detare. Me sa jam në dijeni, ne i kemi patur 15 milje, dhe na është kërkuar që duhet t’i bëjmë 12 milje, dhe ne aq i bëmë. Pra i shtrimë aq sa kishim mundësinë. Nëse nuk ka shtet përballë, në oqean, shelfi kontinental mund të shkojë deri maksimalisht deri 350 milje. Por nëse nuk ke shtet tjetër përballë apo bashkëngjitur. Po. Po a janë dokrra ato që thotë njohësi më i mirë i kësaj çështje, në Gazetën “ Panorama”, koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, bilbilfryrësi që e ngriti për herë të parë këtë çështje, të cilën me të drejtë ti e çove në Gjykatën Kushtetuese, kur të interesonte politikisht, duke akuzuar jo pa të drejtë Berishën, kur shkruan se kërkon reagimin e menjëhershëm të Shqipërisë për të mos lejuar Greqinë që të zyrtarizojë zgjerimin e saj me 12 milje në detin Jon? Zoti Pashaj shprehet se pa një marrëveshje me Shqipërinë për të përcaktuar kufijtë detarë, Greqia nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në zgjerime hapësirash detare.” Apo nuk është e drejtë kjo?
A pushton Greqia hapësira detare që mund t’i takojnë Shqipërisë”?
“Të dy shtetet nuk e dinë se ku i kanë detet territoriale, se ku kanë detet e puqur, tej detit territorial. Ajo më kryesorja, se ku ndodhet hapësira ekonomike ekskluzive! Nëse Greqia në mendje të saj, vepron, siç thuhet në vendimin e fundit, ajo në fakt “pushton hapësira detare që mund t’i takojnë Shqipërisë”, të cilat nuk i njeh, nëse i takojnë apo jo”, shprehet Pashaj. A është dhe kjo dokërr zoti Rama?
A po kur zoti Shaban Murati shkruante se “Në fund të vitit 2014 gjatë vizitës së papublikuar të një zyrtari të lartë të MPJ të Shqipërisë në Athinë në bisedimet me ministrinë e Jashtme greke, pala greke i sugjeroi që Shqipëria ta dërgonte “Çështjen e detit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Greqia luante blofin me Shqipërinë, duke qenë e bindur që diplomacia shqiptare do ta hante karremin, a është edhe kjo dokërr zoti Rama?
A njeh Greqia juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ?
Shumë shpejt pas këtij sugjerimi, në 14 Janar të vitit 2015 qeveria greke depozitoi në OKB një deklaratë zyrtare me firmën e zëvëndëskryeministrit dhe ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangellos Venizellos, në të cilën njoftohej se Greqia në parim e njihte juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me përjashtim të disa çështjeve të rëndësishme të interesit të saj kombëtar.
“Qeveria e Republikës së Greqisë njeh si të detyrueshëm ipso fakto dhe pa marrëveshje të veçantë, në lidhje me çdo shtet tjetër që pranon të njëjtin detyrim, në kushtet e reciprocitetit, juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me të gjitha mosmarrëveshjet juridike të referuara në nenin 36, paragrafi 2, i Statutit të Gjykatës, me përjashtim të: – çdo mosmarrëveshje, që lidhet me aktivitetet dhe masat ushtarake të marra nga Republika Greke për mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial, për qëllimet e mbrojtjes kombëtare, si dhe për mbrojtjen e sigurisë së saj kombëtare. “ Çdo mosmarrëveshje në lidhje me kufijtë shtetërorë apo sovranitetin mbi territorin e Republikës Greke, përfshirë çdo mosmarrëveshje mbi gjerësinë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën ajrore të tij”. A është dokërr kjo z Rama?
“Të gjithë e dimë vendimin e qeverisë Shqiptare dhe asaj të Greqisë, të cilat “E dorëzuan detin në dorën e Gjykatës së Hagës. Kjo e ka bërë çështjen akoma dhe më komplekse. Veç kësaj, në këtë turbullirë dhe tymnajë detare, vendimi i qeverisë së Greqisë ka rastin që të përfitojë, në shtrirje dhe zgjerim të 12 miljeve detare. Një hap i tillë nuk duhet të lejohet, se më vonë, nuk zgjidhet aq kollaj e nuk dihet se sa kohë do të dojë. Urgjentisht duhet të thirret një Forum Gjeoshkencor dhe Juridik i së Drejtës Detare Ndërkombëtare, nga institucione shqiptare, që tërë këtyre problemeve t’u japë qartësinë e duhur”, shkruan Pashaj. A është dokërr z Rama?
Apo do përfundojë ky gjyq ashtu si arbitrazhi me Bekettin?
Në këtë mënyrë, z. Rama a e dini, se Greqia e ka bllokuar paraprakisht nga pikëpamja juridike çdo vendim të papëlqyeshëm për të nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe mund të pranojë vetëm atë vendim, që i zgjeron asaj hapësirat detare në dëm të Shqipërisë. Deklarata zyrtare e qeverisë së Greqisë e depozituar në OKB në 14 Janar 2015 nuk njeh autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjet detare. Në këtë situatë juridike adresimi nga Shqipëria në këtë Gjykatë i “Çështjes së detit” është paraprakisht i paragjykuar dhe i përcaktuar për dështim. Të shpresojmë të mos jetë kështu zoti Rama. Pra nuk është vendi këtu t’u kundërviheni shqiptarëve dhe të mos shkoni në këtë gjyq si në dasmë.
Pozicioni juridik zyrtar i Greqisë lidhur me mungesën e juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjet e delimitimit të zonave detare është një realitet juridik dhe diplomatik flagrant, që duhet ta kishte ditur para se të vendosje për dërgimin e “Çështjes së detit” në Gjykatën e Hagës. Bllokada juridike greke me deklaratën zyrtare të 14 Janarit 2015 depozituar në OKB është pengesë serioze për çdo hap, nismë apo ide të dërgimit të mosmarrëveshjeve detare me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kur aktivizohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ?
Gjykata është organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Është themeluar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila u nënshkrua në 1945 në San Francisco (Shtetet e Bashkuara) dhe filloi punën në 1946 në Pallatin e Paqes, Hagë (Hollandë). Gjykata, e cila është e përbërë nga 15 gjyqtarë, ka një rol të dyfishtë: së pari, të zgjidhë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, mosmarrëveshjet ligjore midis shteteve të paraqitura prej tyre dhe, së dyti, të japë mendime këshilluese për çështjet ligjore të referuara nga autorizuar si duhet organet e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e specializuara. Çfarë e dallon Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe gjykatat ndërkombëtare penale ad hoc si, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) ), për shembull? Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka juridiksion për të gjykuar individë të akuzuar për krime lufte ose krime kundër njerëzimit. Meqenëse nuk është gjykatë penale, nuk ka një prokuror të aftë të fillojë procedurat.
Juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i përgjithshëm dhe në këtë mënyrë ndryshon nga ai i gjykatave të specializuara ndërkombëtare, siç është Tribunali Ndërkombëtar për Ligjin e Detit (ITLOS). Pse shkoni direkt në Gjykatën e Hagës vendimi i së cilës është përfundimtar , pa e paraqitur çështjen në ITLOS në Hamburg?
Së fundmi, Gjykata nuk është një gjykatë supreme në të cilën mund të drejtohen gjykatat kombëtare; nuk vepron si gjykatë e fundit për individët. As nuk është një gjykatë apeli për ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Sidoqoftë, mund të vendosë mbi vlefshmërinë e vendimeve të arbitrazhit.
Pse disa mosmarrëveshje midis shteteve nuk konsiderohen nga Gjykata? Gjykata mund të dëgjojë një mosmarrëveshje vetëm kur kërkohet ta bëjë këtë nga një ose më shumë shtete. Ajo nuk mund të merret me një mosmarrëveshje me iniciativën e saj. As nuk lejohet, sipas Statutit të tij, të hetojë dhe të vendosë mbi aktet e shteteve sovrane siç zgjedh. Shtetet e përfshira në mosmarrëveshje gjithashtu duhet të kenë qasje në Gjykatë dhe të kenë pranuar juridiksionin e saj, me fjalë të tjera ata duhet të pranojnë që Gjykata të marrë në konsideratë mosmarrëveshjen në fjalë. Ky është një parim themelor që rregullon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, pasi shtetet janë sovrane dhe të lira të zgjedhin mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tyre. A është e vërtetë kjo z. Rama?
A mundet Greqia mos pranojë vendimet e Gjykatës të Hagës që si interesojnë ?
Atëherë pse, siç thotë z. Murati “ Nga një anë Greqia i sugjeronte Shqipërisë t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nga ana tjetër bllokonte çdo kompetencë dhe juridiksion të Gjykatës Ndërkombëtare mbi çështjet e gjerësisë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën ajrore të tij. Kështu Greqia apriori refuzon të njohë çdo vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që mund të favorizojë apo mund t’i japë të drejtë Shqipërisë në rastin e shqyrtimit të çështjeve të delimitimit të “kufijve detarë, të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive”, tema të cilat qeveria aktuale e Shqipërisë i ka paraqitur si objekt bisedimesh me Greqinë në letrën zyrtare që ministri i Jashtëm socialist i ka drejtuar Presidentit të Republikës, në 12 Shkurt 2018, ku i kërkon autorizimin për zhvillimin e bisedimeve me Greqinë për detin. A është e vërtetë kjo zoti Rama ? A mos vallë nga përjashtimi grek i juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare do të thotë që Greqia do të pranojë vetëm atë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare që plotëson ambiciet detare të Greqisë ndaj Shqipërisë dhe që i jep asaj pjesë të ujërave territoriale shqiptare, pjesë të shelfit kontinental shqiptar dhe pjesë të zonës ekonomike ekskluzive shqiptare?
Djalli fshihet në detajet
Z. Rama në këtë deklaratë mendoj se ju keni qenë konsekuent kur keni thënë se “Greqia po ushtron të drejtën e saj ”gjë që shkaktoi akuzat e PD se ka një marrëveshje sekrete Rama – Mitsotakis për çështjen e detit Jon. Por Greqia ka të drejtë për këtë të drejtë ndërkombëtare aq sa ka dhe Shqipëria.” But the devil is in the details” thonë amerikanët. Ku janë detajet çka pranon dhe nuk pranon Shqipëria dhe cilat janë kërkesat që ka paraqitur Greqia?
Pse na i fshihni këto neve llumit që na dhemb Shqipëria? Ku janë detajet që bini dakord dhe ato që keni kundërshtim? Gjykata nga ana e saj nuk merr përsipër pretendimet e një shteti nëse nuk ka mosmarrëveshje. Na sqaroni çka nuk pranon shteti shqiptar nga kërkesat greke.
Nëse nuk ka këtu vend për shqetësim pse kur në 29 Dhjetor të vitit 2019 kryeministri i Greqisë, Qiriakos Micotaqis deklaroi se “në qoftë se Athina dhe Ankaraja nuk i zgjidhin dot mosmarrëveshjet për zonat detare, duhet t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të zgjidhur këto mosmarrëveshje”, por ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavusoglu, në 22 Dhjetor 2019 theksoi se opsioni për ta dërguar çështjen e mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një çështje për një fazë të mëvonshme, sepse “Greqia ka rezerva për juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi delimitimin e kufijve detarë”. Apo nuk është kështu , apo ka të ngjarë që ai nuk e di? A nuk e di ti ndaj po ta tregoj. Një shtet mund të shfaqë pëlqimin e tij në tre mënyra për të pranuar juridiksionin e Gjykatës:
– me një marrëveshje të veçantë: dy ose më shumë shtete me një mosmarrëveshje për një çështje të veçantë mund të bien dakord ta paraqesin atë bashkërisht në Gjykatë dhe të përfundojnë një marrëveshje për këtë qëllim; Përse nuk na thua për cilën çështje palët kanë mosmarrëveshje?
– nga një klauzolë në një traktat: mbi 300 traktate përmbajnë klauzola (të njohura si klauzola juridiksionale) me të cilat një Shtet Palë merr përsipër të pranojë juridiksionin e Gjykatës nëse lind një mosmarrëveshje me një Shtet tjetër Palë në lidhje me interpretimin ose zbatimin e traktatit; A ka ndonjë klauzolë të tillë që nuk e dimë ?
– me anë të një deklarate të njëanshme: Shtetet palë në Statutin e Gjykatës mund të zgjedhin të bëjnë një deklaratë të njëanshme duke njohur juridiksionin e Gjykatës si të detyrueshme në lidhje me çdo Shtet tjetër që gjithashtu e pranon atë si të detyrueshëm. Ky sistem i klauzolave opsionale, siç quhet, ka çuar në krijimin e një grupi shtetesh secila prej të cilave i ka dhënë juridiksion Gjykatës për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje që mund të lindë midis tyre në të ardhmen. Në parim, çdo shtet në këtë grup ka të drejtë të sjellë një ose më shumë shtete të tjera në grup para Gjykatës. A keni dijeni që Greqia të ketë hartuar një klauzolë, opsionale në këtë mosmarrëveshje?
Shihe edhe këtë parim “Deklaratat mund të përmbajnë rezerva që kufizojnë kohëzgjatjen e tyre ose përjashtojnë kategori të caktuara të mosmarrëveshjes. Ato depozitohen nga Shtetet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Greqia e ka bërë këtë apo nuk e dini akoma dhe e dimë ne që jemi llumi i Shqiptarisë. Ndaj po ju pyesim?
Që të jenë të detyrueshme vendimet e Gjykatës, duhet që aktgjykimet e dhëna nga Gjykata (ose nga një prej Dhomave të saj) në mosmarrëveshjet midis Shteteve janë të detyrueshme për palët e interesuara. Neni 94 i Kartës së Kombeve të Bashkuara parashikon që “ Anëtari i Kombeve të Bashkuara merr përsipër të veprojë në përputhje me vendimin e [Gjykatës] në çdo çështje në të cilën është palë”. A jeni të sigurt se Greqia do ta bëjë këtë?
A e dini se “Aktgjykimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe pa apelim ?
Nga e tjetër vendimet e shpejtuara dhe të pa mbështetura dhe të përgatitura kur ju vetë keni thënë se grupi negociues është shpërndarë. A e dini se “Aktgjykimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe pa apelim. Nëse ka një mosmarrëveshje në lidhje me kuptimin ose qëllimin e një gjykimi, e vetmja mundësi është që njëra nga palët të bëjë një kërkesë në Gjykatë për një interpretim. Në rast të zbulimit të një fakti të panjohur deri më tani për Gjykatën, i cili mund të jetë një faktor vendimtar, secila palë mund të kërkojë për rishikimin e aktgjykimit. Për sa i përket mendimeve këshilluese, zakonisht u takon organeve të Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të specializuara që u kërkojnë atyre t’u japin efekt ose jo, nga cilado mjet që ata e shohin të arsyeshme.
Për më tepër kur kjo çështje ka dy precedent negativë: në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (GJK) hodhi poshtë Marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, të nënshkruar nga dy palët, kur në Shqipëri në pushtet ishte PD. GJK e konsideroi marrëveshjen e para 11 viteve “antikushtetuese, të karakterizuar nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”. A dini të na shpjegoni pse gazeta greke u gëzua për vendimin për të shkuar në Hagë , pasi kapërcente impasin e Gjykatës Kushtetuese e ndërtuar kohët e fundit. A mund të na thoni çfarë mbështesni dhe çfarë hidhni poshtë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje tani që më së fundi Gjykata kushtetuese duket se do të ndërtohet, a jeni konsultuar me anëtarët e Gjykatës?
Shpresat janë por fakti është që mes dy vendeve nuk ka marrëveshje për ndarjen e Detit të përbashkët Jon. Kjo është hera e tretë që palët tentojnë të bien dakord dhe arrijnë një marrëveshje. Ndarja e Detit Jon mes dy vendeve fqinjë ka të bëjë me ndarjen e tri hapësirave: Detit Territorial, Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, ku këto të fundit lidhen me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, kërkimet për gaz, naftë etj. Me pak fjalë edhe Shqipëria, edhe Greqia kanë interesa strategjike në ndarjen e Detit Jon. Duket qartë që palët kanë kundërshti përderisa Rama flet për zgjidhje “përmes një pale të tretë apo Gjykatave Ndërkombëtare”.
Çështja e pranimit të Shqipërisë në BE është një levë presioni ndaj Tiranës
Sipas Konventës Ndërkombëtare të Detit, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje ndodh kur këtë e lejojnë rrethanat gjeografike. Mes Shqipërisë dhe Greqisë hapësirat në Detin e përbashkët Jon, janë të kufizuara. Gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Dendias në Tiranë ku u takua me ju Z. Dendias vuri në dukje në deklaratat e tij pas takimit se “pasi kemi shqyrtuar hollësisht çështjen, kemi rënë dakord që Greqia dhe Shqipëria së bashku të vazhdojnë me paraqitjen e kësaj çështje në drejtësinë ndërkombëtare, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, shkruante Gazeta Greke “Prototema” më 20 Tetor. Informacioni tregon, megjithatë, se marrëveshja për referimin e çështjes atje nuk është nënshkruar ende. Vlerësohet se çështja e pranimit të Shqipërisë në BE është një levë presioni ndaj Tiranës”. A keni qenë ju nën presion apo jeni Skënderbe?.
Për të kuptuar më mirë këtë marrë veshje lypset të shohim mosmarrëveshjet, greko-turke p.sh Turqia ka refuzuar të ratifikojë Konventën e KB mbi Ligjin e Detit (UNCLOS) të vitit 1982. Ajo e ka bërë këtë kryesisht për të prishur të drejtat e ofruara për ishujt grekë në Egje dhe Lindje Mesdhetare. Në 1995, Parlamenti Turk, në mënyrë të jashtëzakonshme, deklaroi se shtrirja e ujërave territoriale të ishujve të Greqisë në Egje në 12 milje detare (një e drejtë nën UNCLOS) do të përbënte një ‘casus belli’. Pra shkak për Luftë z. Rama. Ne nuk kërkojmë këtë gjë z Rama, por nuk duam të kemi një Shën Naum tjetër. Përgjigja greke ndaj Turqisë për arsye që dihet ka qenë e matur. Greqia nuk ka pohuar të drejtat e saj sovrane për 12 milje detare të ujërave territoriale në Egje (megjithëse e ka bërë tani në Jon), dhe ka treguar gjatë gatishmërinë e saj për të negociuar caktimin e kufijve të shelfit kontinental, e cila, në terma praktikë, gjithashtu nënkupton ZEE-në e saj. Zbulimet e fundit të gazit në Mesdheun Lindor i shtojnë karburant dhe urgjencë pozicionit Grek, pa e ndryshuar thelbësisht atë. Në caktimin e kufijve të saj të EEZ me shtetet e tjera, Greqia ka ecur me kujdes: ajo nuk ka përdorur, për shembull, koordinatat e Kastellorizo në caktimin e saj të pjesshëm me Egjiptin. Po me Shqipërinë z. Rama, Greqia i jep vlerë dhe ishujve të pabanuar dhe shkëmbinjve nënujorë. Cili është qëndrimi juaj z Rama mbi parimin e ekuitesë apo të vijës së mesit, apo se kuptoni dot? Sidoqoftë vijën e mesme duhet ta dini nga piktura se nga gjeometria se besoj… Kush peshon më shumë një ishull i pabanuar apo shkëmbi i Gjuhëzës apo kontinenti?
Dalja e Greqisë në zonën e Otrantos a duhet të inkuadrojë dhe Italinë
Nga ana tjetër dalja e Greqisë në zonën e Otrantos duhet të inkuadrojë dhe Italinë. Marrëveshja, e nënshkruar më 9 qershor 2020 nga Ministri i Jashtëm Nikos Dendias në emër të Republikës Greke dhe homologut të tij italian Luigi di Mayo në emër të Republikës Italiane, bazohet në dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit. Paragrafi 2 i Nenit 1 rendit mbi koordinatat që përcaktojnë vijën kufitare. Paragrafi 3 i Nenit 1 përcakton se “ky demarkacion do të shtrihet në të gjitha drejtimet në pikat e takimit të zonave detare të Shteteve përkatëse fqinje, kur marrëveshjet përkatëse të jenë lidhur”. Pra këtu nënkuptohet marrëveshja me Shqipërinë. Marrëveshja me Italinë mund të merret, si shembull. Shihet që Greqia po nxiton për arsye që të mbetet të zgjidhë nyjën me Turqinë. Pikërisht dje, Ministri i Jashtëm Nikos Dendias, i cili është në kontakt të rregullt me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Zyra e Çështjeve Ligjore e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara postoi një njoftim disa orë më parë në faqen zyrtare të Drejtorisë së KB për Çështjet Oqeanike dhe Ligjin marrëveshjen Greqi-Egjipt mbi caktimin e zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) midis dy shteteve që e kishin nënshkruar më 6 gusht. Ndaj kuptohet dhe kjo deklaratë e Krishtlindjes e Micotaqisit.
Pse ky ngut? A nuk ju shqetëson kjo ju, z. Rama?
Kur Italia e kish përfunduar marrëveshjen me Greqinë qysh më 1977 dhe e mbaroi këtë vit? A keni pyetur Micotaqisin se kundër ndërtohet baza ushtarake greke në ishujt e papunuar grekë apo për të shtuar në kandar peshën e ishujve?
Jurisprudenca e gjykatës sugjeron që ajo do ta përcaktojë çështjen në një mënyrë që asnjë palë nuk i jep gjithçka që dëshiron. Duke pasur parasysh refuzimin e Turqisë të juridiksionit të ICJ, një marrëveshje paraprake për të shkuar në arbitrazh është thelbësore (moslejimi i ICJ i kompetencës në çështjen e Greqisë 1976 provon çështjen). E njëjta gjë vlen për Shqipërinë apo jo?
Ju disa muaj më parë, në një forum të revistës “The Economist” të zhvilluar në Athinë, paraqitët dy alternativa për arritjen e një marrëveshjeje Shqipëri – Greqi për ndarjen e hapësirave/zonave detare mes dy vendeve në detin Jon: zgjidhjen nëpërmjet një pale të tretë apo gjykatave ndërkombëtare për një zgjidhje “te drejtë dhe objektive”. Rama tha në Athinë se “dy palët janë në rrugën e duhur” dhe se shpreson “të arrinin në dakortësi”. Po na sqaroni ku nuk ratë dakord, dhe pse ratë dakord të pranoni ato vendime të Gjykatës që Greqia mund t’i pranojë ? Për çfarë u ra dakord, apo ratë dakord që s’jeni dakord gjatë vizitës së shpejtë në Tiranë të Ministrit të Jashtëm, grek Nikos Dendias në Tiranë?
Kur është në fjalë toka dhe ujërat e Shqipërisë, të gjithëve por më shumë atyre. që nuk janë “llumi” por ajka e Shqipërisë, u ke borxh transparencën? Dhe këto nuk janë “dokrra hinit”, siç thoshte Fishta dhe as patriotizëm folklorik. Boll ma, mos iu drejto intelektualëve dhe patriotëve me slangun e rrugës kur je në vështirësi se l(l)umi i historisë ka për të marrë.