Ministria e Financave shiti 225 milionë euro për mbulimin e defiçitit buxhetor

185

Mes muajve qershor dhe tetor, qeveria shqiptare vlerësohet se ka shitur rreth 225 milionë euro nga fondet e saj në valutë, me qëllim mbulimin e deficitit buxhetor.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se llogaria rrjedhëse në valutë të huaj të qeverisë shqiptarë, në fund të tetorit, ra në shumën ekuivalente të 67.2 miliardë lekëve, nga 95.6 miliardë lekë në fund të muajit qershor, kur u realizua huamarrja përmes eurobondit në tregjet financiare ndërkombëtare.

Mes qershorit dhe tetorit, qeveria ka shpenzuar rreth 28 miliardë lekë, ose 225 milionë euro nga këto para, për financimin e deficitit buxhetor të krijuar gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar në tremujorin e tretë u rrit me vetëm 1 miliard lekë, kundrejt një zgjerimi prej pothuajse 20 miliardë lekësh të deficitit buxhetor.


Duke pasur parasysh se në pjesën më të madhe, shpenzimet publike kryhen në lekë, gjatë këtyre muajve besohet se qeveria shqiptare ka shitur shuma të konsiderueshme të euros në tregun e brendshëm valutor, duke rritur ofertën e monedhës europiane në treg. Ky mund të jetë një nga faktorët që nuk ka lejuar mbiçmim të euros në kursin e këmbimit me lekun, me gjithë një tendencë në rritje të deficitit të jashtëm pas tremujorit të tretë të vitit.

Euro u këmbye të hënën me 123.78 lekë, ndërsa që prej mesit të tetorit, monedha europiane po qëndron poshtë kufirit të 124 lekëve. Aktualisht, euro është në nivele të përafërta me sezonin veror, që përgjithësisht shënon periudhën më të ulët të kursit gjatë vitit kalendarik. Agjentët e këmbimit valutor e lidhin qëndrueshmërinë e kursit me kërkesën e paktë për euro, megjithatë edhe oferta e valutës që ka ardhur nga shitjet e Ministrisë së Financave mund të ketë ndikuar për të frenuar mbiçmimin e monedhës europiane.

Në muajin qershor të këtij viti, qeveria shqiptare siguroi një hua prej 650 milionë eurosh përmes emetimit të eurobondeve me maturim shtatëvjeçar. Qëllimi ishte që rreth 400 milionë euro të përdoreshin për mbulim defici, ndërsa 250 milionë euro për shlyerjen e eurobondit të vitit 2015. Ky eurobond u maturua në muajin nëntor dhe shlyerja e 250 milionë eurove besohet se ka sjellë rënie të ndjeshme në tepricën e likuiditetit të qeverisë shqiptare me të paktën 31 miliardë lekë.

Në fund të tetorit, Ministria raportonte një deficit buxhetor prej 66 miliardë lekësh, shumë kjo sa gjysma e deficitit vjetor prej 133 miliardë lekësh që parashikohet në aktin e fundit normativ për buxhetin. Elementi kryesor që ka ndikuar në një deficit më të ulët se plani është mosrealizimi i shpenzimeve të lidhura me rindërtimin nga tërmeti. Nga 34 miliardë lekë të planifikuara, deri në fund të tetorit, Ministria e Financave raportonte 0 lekë të shpenzuara në këtë zë. /E.Shehu/MONITOR