Ministrja e Arsimit Evis Kushi sqaroi marrëveshjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore.
Kushi tha se marrëveshja lejon që brenda 14 ditësh ti jepet përgjigje autenticitetit të diplomave dhe brenda 20 ditëve të kryhet procedura e plotë e njësimit të tyre.
Po ashtu ministrja e Arsimit tha se me të njëjtin angazhim dhe vullnet do punohet edhe për abetaren unike të përbashkët.
“Duke respektuar legjislacionin dhe kornizën e kualifikimeve, parimet dhe konventat ndërkombëtare, duke u nisur nga interesi i përbashkët kemi vendosur të lehtësojmë procedurat dhe të shkurtojmë afatet për njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, duke shmangur burokracitë ekzistuese.
Kjo është një marrëveshje që lejon që brenda 14 ditësh ti jepet përgjigje autenticitetit të diplomave, dhe brenda 20 ditë pune kryhet e gjithë procedura e plotë e njohjes dhe njësimit të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, doktor.
Ka vullnet dhe angazhim nga dy palët sepse në kohë rekord kemi arritur ta dakordësojmë këtë marrëveshje.
Dhe po me të njëjtin angazhim dhe vullnet unë shpresoj shumë që ne të punojmë edhe për abetaren unike të përbashkët.
Unë i vlerësoj të gjitha iniciativat e deritanishme për kurrikulën e përbashkët dhe tekste të tjera, por besoj që një abetare e re unike, besoj do jetë në dobi të gjithë nxënësve. Jam e lumtur që iniciativa e kryeministrit ka gjetur mbështetje”, tha ministrja Kushi.