Nis lufta “gastronomike” midis Brukselit dhe Britanisë së Madhe: Nuk mund të sillni dot në BE qoftë edhe një sanduiç

182

Diskutimet mbi një dalje nga BE të koordinuar me institucionet europiane nuk janë ende drejt finalizimit për Londrën zyrtare, por është e qartë se nga 1 janari i vitit të ardhshëm nënshtetasit e Mbretëreshës Elisabeth do të fillojnë të kuptojnë në përditshmërinë e tyre efektet konkrete të BREXIT.

Efekti i parë do të jetë ai… gastronomik. Britanikët por edhe nënshtetasit europianë që nga Mbretëria e Bashkuar duan të kalojnë kufirin e BE-së, duhet të lënë mbrapa çdo produkt me origjinë shtazore, sepse ato do të sekuestrohen në doganë, madje rrezikohen gjoba të kripura. Lajmin e rikujtoi pak ditë më parë vetë kryeministri britanik Boris Johnsson, që shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për sasitë e mëdha, por edhe një sasi krejt modeste, si ajo që gjendet në një sanduiç djathë dhe proshutë.

Kjo, për mungesën e çdo marrëveshjeje midis Londrës dhe Brukselit për normat shëndetësore midis dy institucioneve. Shumë analistë, jo me pak ironi, kanë evidentuar se humbja e Europës për mungesën e produkteve britanike në tregjet e tyre nuk do të jetë “fundi i botës”, siç mund të ishte në drejtim të kundërt.

Por autoritetet kufitare janë të shqetësuar për vonesat që moskuptimi i rregullave të reja mund të shkaktojë, veçanërisht tek shoferët e shumtë të kamionëve që për udhëtimet e tyre në BE përgatisnin gjithmonë ushqime të thata, që shoqëronin orët e gjata në timon.