Përqafimi, një mjet evolucionar i mbijetesës!

87

Të përqafosh apo jo të tjerët, kjo është dilema sot. Në varësi të vendit ku jetoni, shumë prej nesh tashmë janë vaksinuar. Por është e vështirë ta dish me siguri para sesa të përqafosh dikë, nëse personi e ka marrë apo jo vaksinën.

Njëkohësisht, shumë prej nesh dëshirojnë ngrohtësinë e një përqafimi pas një viti të gjatë të izolimit social. Sipas ekspertëve, njerëzit kanë biologjikisht nevojë për prekjen e të tjerëve, dhe një përqafim i gjatë është një nga mënyrat më të mira për ta marrë atë.

Suzan Degs-Uajt është profesore dhe studiuese e fokusuar tek marrëdhëniet shoqërore në Universitetin e Ilinois Verior.

Ajo thotë se nevoja jonë për një përqafim, e ka origjinën tek një përshtatje evolucionare që ka garantuar mbijetesën e specieve tona. Kur ne lindim nuk mund të kujdesemi dot për veten, ndaj duhet që për ne të kujdesen të tjerët në mënyrë që të mbijetojmë.

Ne shpërblehemi me çlirimin e hormonit që na bën të ndjehemi mirë, dhe që prodhohet nga një përqafim.“Kur përqafojmë dikë truri ynë çliron oksitocinën, hormonin e lidhjes, si dhe serotoninën dhe endorfinën”- thotë Deges-Uajt.

Kjo lidhje dhe ndjenja e bashkësisë, luan një rol të rëndësishëm evolucionar pasi për njerëzit, siguria e grupeve të vogla dhe komuniteteve të mëvonshme, ishte vërtet e rëndësishme për të mbijetuar. Kontakti i ngushtë, ndihmoi edhe në ndërtimin e civilizimit. Për pasojë, truri ynë ka nevojë për këtë lidhje, dhe kur e humbasim kjo gjë ka pasoja psikologjike.

“Kur nuk mund të përqafohemi, ne nuk marrim atë mori hormonesh të mira”- thotë Deges-Uajt. Kjo nevojë është aq shumë e ngulitur tek ne si specie, saqë gjatë vitit të kaluar për shkak të Covid-19 shumë njerëz kanë përjetuar depresion dhe ankth për shkak të asaj që Deges-Uajt e quan “privim nga prekja”.

Në fillim kjo dukuri ishte më e përhapur në shtëpitë e pleqve tashmë të izoluar, ku virusi bëri më shumë dëm, dhe me kalimin e kohës, nevoja për lidhjet sociale fizike u përhap në komunitetin e gjerë. Ne mund të mos e dimë se çfarë jemi duke përfituar nga përshëndetja me një përqafim me miqtë dhe familjen tonë.

Ne thjesht e shijojmë atë. Dhe kur privohemi nga këto përvoja, ne përjetojmë dhimbje dhe trishtim. Një kontakt me brryla apo nga distanca nuk mjafton. Një studim i botuar në revistën “Psychological Science”ka treguar se përqafimi ka një efekt “mbrojtës nga stresi”, që mund të na mbrojë nga sëmundjet kronike dhe infeksionet.

“Ne nuk na mungon përqafimi derisa të mos e kemi. Për sa kohë nuk keni dhimbje koke, ju nuk e vlerësoni se sa mirë është të mos e kesh një dhimbje të tillë. “Disa nga ne janë rritur në familje më zyrtare ku përqafimi nuk ishte i zakonshëm. Të tjerët mund të kenë përjetuar abuzime, çka që e bën traumatik përqafimin.

Por në të dyja rastet, kur fëmijët nuk përjetojnë prekje të shëndetshme, kjo mund të ndikojë në zhvillimin e tyre. Fëmijët që nuk janë rritur me përqafime, e humbin ndjenjën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ata mund të izolohen nga personat që i rrethojnë. Në disa raste, e kundërta mund të jetë e vërtetë. Disa fëmijë mund të tregojnë shumë dashuri, duke dëshiruar çdo formë të vëmendjes pozitive që nuk e kanë marrë në familjen e tyre”-thotë Deges-Uajt.

Po për kulturat ku përqafimi nuk është i zakonshëm?

Në kulturat e tjera ku përqafimi nuk është një normë shoqërore, janë më të përhapura format e tjera të intimitetit. Kur njerëzit janë më të përmbajtur për sa i përket përshëndetjeve, ata mund të jenë seksualisht më shprehës. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, njerëzit mund të përqafohen në formën e një përshëndetje, ne kemi një kulturë turpi rreth shprehjes seksuale dhe rreth trupit, por vendet e tjera nuk e kanë këtë. Në fund të fundit, çdo kulturë tregon mënyrën e saj të lidhjes”- thotë ekspertja.

A është i sigurt përqafimi pas vaksinimit?

Rajev Fernando, drejtori i Divizionit të Sëmundjeve Infektive në Spitalin Stony Brook në Sauthempton, Nju Jork, thotë se nëse dy njerëz janë të vaksinuar, atëherë mund të përqafohen pa problem, pasi hulumtimet kanë treguar se rreziku i transmetimit është jashtëzakonisht i ulët. Dhe nëse jeni vaksinuar, por nuk e dini me siguri nëse personi që po përqafoni është vaksinuar, sërish ka shumë të ngjarë që ky gjest të jetë i sigurt.

“Teorikisht, virusi mund ta kolonizojë hundën pa shkaktuar sëmundje klinike, por rreziku është i ulët, dhe shansi që një person i vaksinuar të preket nga një formë serioze e sëmundjes dhe të shtrohet në spital është jashtëzakonisht i ulët”-thotë Fernando.

Ndërkohë rreziku është paksa më i lartë kur është fjala për përqafimin e fëmijëve më të vegjël që nuk janë vaksinuar, por sërish rreziku është minimal kur prindërit e tyre janë të vaksinuar. Fëmijët nuk e shfaqin Covid-19 njëlloj si të rriturit, pasi koronavirusi lidhet me receptorët ACE2 të cilët janë të bollshëm tek të rriturit, por jo tek fëmijët e vegjël.

Edhe nëse fëmijët nuk janë vaksinuar ende, nëse ata janë të rritur, rreziku i transmetimit është vërtetë i ulët. Por nëse jeni një i rritur i pa vaksinuar, atëherë përqafimi është ende i ndaluar, pasi virusi mund të transmetohet lehtësisht. Fernando thotë se në dallim nga bakteret, viruset nuk mund të jetojnë në sipërfaqe për asnjë periudhë kohe. Ata kanë nevojë për një qelizë për të mbijetuar. Kjo është arsyeja pse transmetimi i tyre ndodh përmes ajrit. / – Bota.al