Personat me aftësi të kufizuar protestë te kryeministria: 120 milionë euro borxhet e shtetit ndaj nesh, ia kanë kaluar barrën bashkive

75

Tetraplegjikët dhe paraplegjikët kanë dalë sot në protestë përpara kryeministrisë, ku kërkojnë që detyrimet që shteti shqiptar iu ka atyre të reflektohen në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ata shprehen se borxhi dhe detyrimet e prapambetura që shteti shqiptar ka ndaj tyre kapin një shifër prej 120 milionë eurosh.

 

Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, paratë që shteti u ka borxh atyre u janë faturuar bashkive, të cilat duket se e kanë të pamundur financiarisht përballimin e kostove. Ata paralajmërojnë një padi të re për shtetin shqiptar në Strasburg.

“Borxhi total që shteti na ka ne është 120 milionë euro. Pra këtë borxh me ndarjen territoriale ia kanë lënë bashkive që të na i japin, por ne mendojmë se është tagër i Buxhetit të Shtetit. Ne i kërkojmë kryeministrit që vendimet ekzekutive të gjykatës ndaj nesh ti parashikojë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Flasim në lidhje me pagesat që ne kërkojmë, Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar këto fonde bashkive, tani për këto duhet që kryeministri të sensibilizohet dhe të na i japë këto para. Do i lëmë një javë apo dy javë afat dhe do të ndërmarrim hapa të tjerë.

Nëse shteti nuk i zbaton vendimet e gjykatës, ne do ti drejtohemi Gjykatës së Strasburgut, atëherë kostot do të ishin më të larta. Unë kam besim te kryeministri Edi Rama, që ai do ta mbajë fjalën, ai është një njeri që e mban fjalën, dhe padiskutim që do ta mbajë premtimin.

Një premtim i pambajtur mbetet borxh i pashlyer për të gjithë jetën, ne jemi në hall të madh me jetët tona, ia kaluan buxhetin bashkive me qëllim që të hiqnin barrën e tyre. Ato nuk kanë mundësi që të paguajnë, me 110 mijë lekë të vjetra, askush nuk pranon që të kujdeset për ne. Nuk të ndihmon kush”, tha përfaqësuesi i personave tetraplegjikë.

“Bashkë me kujdestarët janë 170 mijë persona, e gjithë kategoria e personave me aftësi të kufizuar”.