Pse në lekun shqiptar nuk ka femra? Zbulohet amaneti që la Nënë Tereza

79

Pas 5 portreteve të burrave, një tjetër shfaqet në kartëmonedhën shqiptare. Portreti i poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Asdreni, do të jetë i fundit në prerjen 10.000 mijë lekëshe që do të shfaqet në treg për herë të parë më 30 qershor.

Nuk kemi pothuajse asnjë figurë femërore mes tyre që pas viteve ‘90. Gjatë komunizmit, prerjet e kartëmonedhave e kishin më të dukshme portretin femëror shqiptar, ndonëse për shkak të ideologjisë ato ishin më shumë kooperativiste.

Sot që nuk i kemi këto kufizime, femrat nuk i kemi në kartëmonedhat tona. A nuk kemi figura femërore me rëndësi dhe kontribut në fusha të caktuara të arsimit dhe shkencës në Shqipëri? A ka pasur ndonjë figurë femërore për të cilën është diskutuar vendosja në një kartëmonedhë së fundmi?

Autori i kartëmonedhës së parë në komunizëm, Pëllumb Vreka, thotë se ne kemi femra të shquara me kontribute të caktuara, por sipas tij problemi qëndron te komisionet që vendosen.

“Te ne nuk është se nuk ka pasur femra të shquara, por problemi qëndron tek komisionet të cilat janë të përbërë nga njerëz financierë apo ekonomistë, të cilët as e kanë haberin se si duhet të stilizohet një kartëmonedhë kombëtare.

P.sh në 1000 lekëshin jeshil të vitit 1992 u vendos Skënderbeu, tani në pesë mijëshen e re një tjetër Skënderbe, me pamje si murg, ky është një shembull për paaftësinë e komisionit”, thotë Vreka.

Edhe historiani Ardit Bido, njëkohësisht edhe drejtor i Arkivave, thotë se me Mbretëreshën Teuta, jemi pak pararojë në krahasim me disa vende, por kjo nuk është e mjaftueshme.

“Mund të themi që jemi ndër vendet e para në botë që një grua (mbretëreshën Teuta) e kemi parë çdokush në monedhat e lekut. Më shumë do të duhen, por së paku jemi në vendet pararojë në këtë drejtim. Por, kjo asesi që nuk duhet të na bëjë të vetëkënaqemi sepse nuk është e mjaftueshme”, thotë Bido.

Përcaktimi i tematikës që përmban çdo kartëmonedhë realizohet nga një komision që ngrihet posaçërisht dhe marrin pjesë akademikë dhe personalitete të shquara.

Banka e Shqipërisë thotë se në kartëmonedhë zgjidhet ajo figurë që përfaqëson zhvillimet më të rëndësishme në vend.

“Tematika e përfaqësuar në kartëmonedhë është një proces mjaft i rëndësishëm, mbasi ajo duhet të përfaqësojë dhe shprehë momentet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, social dhe politik të

vendit dhe të kombit, tematika duhet të jetë përbashkuese dhe e pranuar, të vlerësojë kontributin e figurave me rëndësi kombëtare që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit shqiptar”, thotë zyra e shtypit të Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa sa i përket figurës femërore, Banka është më e rezervuar, por vë në pah se kemi figurën e Mbretëreshës Teuta në monedhën 100 lekëshe. Pyetjes se a ka pasur ndonjë figurë femërore që është diskutuar në komision së fundmi, Banka nuk i jep një përgjigje të prerë.

“Figura e gruas, pavarësisht se nuk është pasqyruar në ndonjë nga kartëmonedhat shqiptare në qarkullim, është e vlerësuar dhe përfaqësohet nga figura e Mbretëreshës Teuta në monedhën e prerjes 100 lekë me kurs ligjor, si dhe në monedhat numizmatike 200 lekë e Nënë Terezës, e prodhuar në ar”, vijon më tej Banka.

Por cilat janë figurat femërore që kanë bërë histori në Shqipëri e pse jo duheshin “vulosur” në kartëmonedha? Vreka zbulon se Nënë Tereza, një figurë sa historike aq edhe e dashur për shqiptarët, nuk ka dashur që të jetë pjesë e kartëmonedhave.

“Figura të shquara ne kemi Nënë Terezën, por në ato vite kur unë ndërtoja kartëmonedhën e re pas prishjes me kinezët, Nënë Terezës ju propozua ta vendosnim në kartëmonedhë. Ajo jo vetëm nuk pranoi, por u lut që edhe pas vdekjes të mos vendosej në kartëmonedhë”, thotë Vreka.

Ndërkohë, historiani Ardit Bido liston një sërë figurash femërore që kanë pasur kontribute në fusha të caktuara, e pse jo mund të ishin “fytyrë” e kësaj kartëmonedhe.

“Ndër gratë shqiptare dhe atyre ilire, kanë spikatur personalitete lokale e universale, që jo prej çfarë janë, por prej çfarë kanë bërë kanë dominuar ose kanë veçuar në fusha të ndryshme.

Nga drejtimi i shtetit (mbretëresha Teuta), lufta (Nora e Kelmendit e Shote Galica), shenjtëria, bujaria e universalizmi (Shën Tereza e Kalkutës), shkenca (Musine Kokalari), intelektualizmi rilindas (Elena Gjika/Dora d’Istria), sporti (e vetmja medaliste shqiptare në Olimpiadë Majlinda Kelmendi), arsimi (Parashqevi e Sevasti Qiriazi), heroizmi (Mosko Xhavella e Margarita Tutulani), e në çdo sferë të jetës shoqërore, shkencore, sportive, politike e kulturore, gra shqiptare kanë treguar individualitetin e tyre e krahas individualitetit edhe mbrujtjen e një shoqërie vlerash”, thotë Bido.

Sipas Vrekës, për herë të parë, roli i gruas shqiptare, u bë i njohur në vitin 1920, me Shaqe Marie Çoba, themeluese e organizatës “Gruaja Shqiptare”.

“Bota në kartëmonedha ka jo vetëm heroina si Zhan D’ark, por edhe gra të shquara në fushën e shkencës dhe arsimit. Ne në historinë tonë kemi arsimtare të mirëfillta, aktiviste të shkëlqyera p.sh. Shaqe Marie Çoba, nga Shkodra e cila më 3 gusht të vitit 1920, themeloi organizatën “Gruaja Shqiptare”, me synimin mbrojtjen e të drejtave e lirive të grave shqiptare.

Po kujt t’ia thuash komisionit të Bankës që përcakton figurat? Po t’u thuash këtë ata do shqyenin sytë nga habia”, thotë Vreka. Specialisti Vreka thotë se figura që mund të pranoheshin në kartëmonedha janë Dora D’istria, Edith Durham dhe Shote Galica.

“Dora D’Istria mund të ishte. Shote Galica pranohet po ashtu pasi luf.toi kundër të huajve. Edith Durham pranohet njësoj si mund të ishin motrat Qiriazi, (Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi), të cilat punuan për një kauzë të përbashkët të shqiptarëve. Domethënë nuk duhet të jetë figurë me krah partiak apo me krah lufte”, thotë Vreka, ndërsa e mohon si emër “Musine Kokalarin jo, pasi ishte thjesht një opozitare e Enverit, si shumë ish-bashkëpunëtor të tij”.

Vreka përfundon duke thënë se: “çështja e kartëmonedhave mbetet sa delikate aq edhe e rëndësishme sepse gra heroina apo aktiviste ka, por nuk ka vullnet”.

Në një shoqëri që ka kaluar nga një trazirë në tjetrën dhe në një sërë luftërash dhe betejash, figura e femrës ka qenë gjithmonë në ballë të këtyre sfidave dhe falë tyre kemi sot një shoqëri më të mirë.

Por, pavarësisht kësaj, ende për një kohë të gjatë, shqiptarët do të shohin “një fytyrë” burri në kartëmonedhë. Po kush dhe kur do të reflektojnë për rolin e figurës femërore apo jemi larg një reflektimi të tillë?