Qeveria dërgon Buxhetin në Kuvend! Sa do të rriten pensionet, pagat dhe bonusi i bebeve?

48

Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për “Buxhetin e Shtetit” të vitit të ardhshëm duke parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliard lekë kundrejt 536 miliard lekë të ardhura.

Qeveria planifikon të ketë një deficit buxhetor prej rreth 101 miliard lekësh, të cilat do t’i mbulojë duke marrë borxh brenda dhe jashtë vendit.

 

Qeveria ka parashikuar që të ketë shtesë mesatare prej 6 për qind për rritjen e pagave të cilën e përfitojnë mësuesit dhe personeli shëndetësor.

Ndërsa për pensionet, qeveria planifikon që të bëjë një rritje minimale të pensioneve gjatë vitit 2022 duke marrë në konsideratë vetëm indeksimin e tyre në treguesit e inflacionit.

Qeveria ka parashikuar në buxhet një fond prej 2.6 miliard lekësh për indeksimin e pensioneve, ndërsa lajm i mirë është parashikimi edhe i një fondi tjetër prej 3.5 miliard lekësh me qëllim dhënien e një bonusi ndaj pensionistëve për festat e fundvitit.

Për bonusin e bebeve , qeveria ka parashikuar 2.2 miliard lekë, kurse të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2022, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.

Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së”, parashikon Ministria e Financave në buxhet.