Rama i gjen një post Ardi Veliut në kabinetin qeveritar?

99

“Mezi pres të punojmë sërish së bashku në të ardhmen dhe në shërbim të vendit tonë e njerëzve tanë”. Kjo ishte fjalia e fundit në letrën plot gabime të Ardi Veliut, që Edi Rama zgjodhi tinëz ta bënte publike për të njoftuar largimin e “kamikazit” të tij nga drejtimi i Policisë së Shtetit, por edhe për ta diskredituar për të fundit herë njeriun që e përdori si mos më keq në shërbim të pushtetit të tij.

Duket se kryeministri e ka dëgjuar dëshirën apo lutjen e ish-kryepolicit ndonëse në po atë letër Ardi Veliu ishte kontradiktor sepse shprehej gjithashtu se donte të qëndronte pranë fëmijëve, që tani janë në një moshë delikate. Sidoqoftë, për të është menduar një post në kabinetin qeveritar në nivel zv.ministri.

Nuk është as te Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes, por te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ardi Veliu pritet të marrë postin e zëvendësit të Belinda Ballukut. Një burim pranë këtij dikasteri i tha Lapsi.al se zyrtarizimi i tij pritet të bëhet në ditët e ardhshme. Ka jo pak habi kur e dëgjon si lëvizje. Gjithkush shtron me të drejtë pyetjen: po Ardi Veliun çfarë e lidh me Transportet?

Spikatja e tij më e madhe në këtë fushë ndoshta është transporti që ai i bëri me makinën e vet Klement Balilit nga Delvina në Tiranë. Apo përfshirja e Policisë së Shtetit në jo pak raste në kultivimin dhe transportin e hashashit do të shtonte dikush tjetër. Megjithatë është e kotë të rrëmojmë për të gjetur arsye pse Ardi Veliu pritet të gradohet zv.ministër i Instrastrukturës dhe Energjitikës.

Ky ndoshta është një shteg për të drejt një karriere të dytë në politikë, si plot ish drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit që një ditë flakin kapelen për t’u veshur me kostumet partiake. Edhe pse duhet thënë se Ardi Veliu edhe gjatë kohës kur drejtonte Policinë e Shtetit s’kishte ndonjë kontrast të madh me zyrtarët e tjerë të “Rilindjes”. Mbeti vasal i Edi Ramës dhe partisë-shtet deri në ditët e fundit që drejtoi Policinë e Shtetit, duke konsumuar me dhjetra në mos qindra shkelje ligjore.  Lapsi.al