Rindërtimi, FMN nxjerr bllof qeverinë: U realizua vetëm 8% pa transparencë!

241

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një raport të fundit ka hedhur dritë mbi fondet që janë shpenzuar për rindërtimin në krahasim me planifikimin fillestar në buxhetin e këtij viti.

Sipas FMN-së, është i dukshëm mosrealizimi për rindërtimin pas tërmetit, që në shtator ishte vetëm 8 për qind e totalit vjetor të buxhetuar.

 

Në raportin e FMN-së thuhet: “Shpenzimet totale u rritën me 5.5 për qind me bazë vjetore, po janë të nënrealizuara në krahasim me planin e buxhetit. Ky nënrealizim është veçanërisht i dukshëm për rindërtimin pas tërmetit, me shpenzimet që në shtator ishin vetëm 8 për qind të planifikimit buxhetor vjetor”.

Në buxhetin e 2020-s, shuma totale e parashikuar për rindërtimin ishte 34 miliardë lekë, ose 270 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave, deri në shtator, qeveria kishte shpenzuar vetëm rreth 22 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit (koment i Monitor).

Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, me pasoja shkatërruese në dëme materiale dhe 51 jetë të humbura, shkaktoi dëme prej 1 miliardë eurosh, sipas raportit të vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë, i hartuar me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Ministrave. Një pjesë e këtyre dëmeve do të mbulohen nga qevria shqiptare dhe një pjesë nga donatorët.

FMN thotë se pritshmëritë për grante janë ulur. “Një konferencë ndërkombëtare e donatorëve e organizuar nga BE në shkurt siguroi premtime prej 1 miliard € në kredi dhe grante. Shumë zotime janë në natyrë ose kanë të bëjnë me projekte. Autoritetet kishin buxhetuar fillimisht 20 miliardë lekë (1.2 përqind të PBB-së) për rindërtim në vitin 2020, për t’u financuar nga 7 miliardë lekë në grante dhe pjesa tjetër nga buxheti. Në rishikimin e tretë të buxhetit, autoritetet ulën pritjet për disbursime të granteve në 3 miliardë lekë të marra deri më tani dhe rritën shpenzimet e përgjithshme në 34 miliardë lekë (2.2 përqind të PBB-së)”.

FMN kërkon transparencë në fondet për tërmetin

Teksa edhe në buxhetin 2021 nuk është detajuar se si do të shpenzohen fondet e parashikuara për tërmetin (rreth 28 miliardë lekë), FMN ka kërkuar qartë që të ketë më shumë transparencë. FMN thekson se “fondet e rindërtimit pas tërmetit duhet të jenë subjekt i kontrolleve të përshtatshme të menaxhimit publik financiar (PFM), përfshirë planifikimin përmes proceseve buxhetore”.

Sipas FMN-së, “është e rëndësishme të sigurohet prokurimi i duhur, mbikëqyrje e fortë, monitorim i përshtatshëm dhe raportim në kohë (përfshirë publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit), si dhe auditime të pavarura pas zbatimit.”

FMN thotë se Kontrolli i Lartë i Shtetit planifikon të kryejë dhe publikojë një auditim të shpenzimeve të lidhura me tërmetin dhe pandeminë në 2021, duke përfshirë auditimin e procedurave përkatëse të prokurimit dhe vlerësimin ex-post.

FMN i ka kërkuar qeverisë që të ulë deficitin buxhetor në 5.2% të PBB-së, ose 1.6 pikë përqindje më pak sesa planifikimi i qeverisë. Fondi rekomandton që shpenzimet kapitale për tërmetin të ruhen por paralajmëron se duke pasur parasysh dobësitë në menaxhimin e investimeve publike dhe kufizimet e finacimit, nuk ka hapësira për rritje të tjera të larta të shpenzimeve publile, pa kompromentuar cilësinë e shpenzimeve.

A mund të realizohen shpenzimet e planifikuara për rimëkëmbjen pas tërmetit?!

Në buxhetin e vitit 2020 ishin planifikuar shpenzime për rindërtimin në vlerën e 34 miliardë lekëve, ndërsa në atë të 2021 edhe 28 miliardë lekë, të përfshira në zërin e investimeve kapitale. Ndryshe nga shpenzimet e tjera kapitale, të cilat detajohen në tabela sipas zërave, një specifikim i tillë mungon për fondet e rindërtimit, si për 2020 ashtu dhe për 2021, që të paktën për rindërtimin nuk ishte një buxhet emergjence.

Sipas një postimi në facebook të ministres së financave Anila Denaj, në 26 nëntor, 21.9% e investimeve kanë përfunduar dhe 94% e buxhetit për vitin 2020 është alokuar plotësisht. Pandemia ka qenë arsyeja kryesore e vonesës, sipas deklarimeve zyrtare.

Teorikisht, fondet e pashpenzuara këtë vit mund të kalojnë në buxhetin e 2021, por, gjithnjë duke mbajtur në konsideratë parametrat e deficitit, çka e bën të pamundur që të akomodohen edhe shpenzimet e planifikuara për 2021. Duke marrë parasysh dhe kapacitetet e kufizuara për realizimet e shpenzimeve, rrezikohet që procesi i rindërtimit të zgjatet përtej vitit 2021./MONITOR