SHBA dhe Shqipëria ishin shtetet që paraqitën në Këshillin e Sigurimit rezolutë të dënimit të Rusisë

130

Këshilli i Sigurimit i OKB-së po voton sonte mbi një projektrezolutë që dënon sulmin rus ndaj Ukrainës dhe kërkon tërheqjen e trupave ruse, një masë që gjithsesi nuk ka gjasa të miratohet për shkak të vetos së Moskës, thanë burimet diplomatike.

Projektrezoluta e ashpër, e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, mbështetet tek neni i shtatë i Kartës së OKB-së, që parashikon “veprim nga forcat ajrore, detare ose tokësore” për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Por ajo nuk po miratohet për shkak të së drejtës së vetos së Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit, thanë diplomatët.

Një votim për një dokument të ngjashëm pritet të pasojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku rezolutat nuk janë detyruese dhe ku 193 anëtarët e saj nuk kanë të drejtën e vetos.

Sipas projekt-rezolutës, të parë nga agjencia AFP, Këshilli i Sigurimit do të dënojë “me termat më të ashpra agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës në kundërshtim me nenin 2, paragrafin 4 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, sipas së cilit asnjë nga shtetet anëtare nuk duhet të sulmojë vendet e tjera.

Nëse miratohet, projekt-rezoluta do t’i kërkonte gjithashtu Rusisë që “të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës” dhe “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës t’i kthente brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”. /VOA/Shqiperiaime.com.al