Shqipëria në borxh publik mbi 80%/ Çfarë e shkaktoi rritjen?

124

Borxhi publik, pra paratë që vendi ynë ka marrë hua nga qeveritë apo institucionet e tjera ka arritur shifrën e mbi 80.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, me premtimin se pavarësisht rritjes, brenda 5 vitesh do të arrihet konsolidimi fiskal.

Ky premtim është bërë në Qershor të vitit 2021 nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave në atë periudhë, Anila Denaj e cila ka argumentuar se borxhi është rritur për shkak të rritjes së shpenzimeve në infrastrukturë e shëndetësi, për të përballuar pandeminë e COVID-19.

“Parashikojmë rreth 80% është i njëjti targetim si ai i vitit 2020. Duhet të jemi të gjithë të qartë që qeveria ka angazhimin për konsolidim fiskal dhe ky konsolidim do të arrihet, prandaj objektivi për ta çuar në 45% borxhin publik në 5 vitet e ardhshme mbetet, ajo që po bëjmë sot është të shtyjmë me një vit kohë afatin, për të rritur shpenzimet nga 7.2% të PBB në 7.7% dhe synon vaksinimin dhe infrastrukturën”, është shprehur Denaj.

Pesë muaj më pas, vendi ynë emetoi në Nëntor Eurobondin e ri 10-vjeçar, me vlerë 650 milionë euro. Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Eurobondi do të shërbejë për rritjen e likuiditetit në treg dhe për investime për vitet 2021 dhe 2022.

Nga ana tjetër, Ibrahimaj nuk harroi të theksojë faktin se “borxhi nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri”, duke argumentuar edhe se “ka elemente pozitive”.

“Eurobondi u emetua me vlerën 650 milionë euro dhe me një afat maturimi 10-vjeçar. Kuponi eurobondit ishte 3.5% dhe norma afatgjatë ishte 3.75%. Eurobondi do të maturohet në muajin nëntor 2031. Krahasuar me dy vitet e fundit, ky Eurobond pati një kupon i cili është i përafërt me dy vitet e fundit, por maturimi është për një periudhë më të gjatë se herët e tjera. Sigurisht borxhi nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri, por ka edhe elemente pozitive”, theksoi ministrja gjatë konferencës për shtyp me rastin e Eurobondit, midis të tjerash.

Në vitin 2019 Shqipëria u godit në 26 nëntor edhe nga tërmeti i fuqishëm 6,4 ballësh i shkallës Richter, për përballimin e dëmeve të të cilit qeveria Rama mori një borxh prej 100 milion eurosh nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë janë shprehur kundër rritjes së borxhit public edhe përtej pragut të rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli u shpreh se rritja e borxhit publik, duke qenë në nivele shqetësuese, përbën rrezik të madh për financat publike.

Nëse bëjmë një pjesëtim të thjeshtë, rezulton se çdo banor tek ne të ketë borxh 3,450 euro, ose 1,070 euro më shumë se pesë vite më pare, dhe kjo rritje ndikon tek kosto e borxhit, ka theksuar Çoçoli.

“Paguajmë mesatarisht 94.3 milionë euro në vit, ndërkohë që gjatë periudhës 2010-2016 paguanim vetëm 56.6 mln euro çdo vit. Tek xhepat tanë drejt për së drejti rritja e borxhit nuk ndikon. Por ne e ndjejmë nga më pak rritje rrogash dhe pensionesh dhe më pak investime publike, pikërisht për shkak të borxhit të shtuar ndjeshëm”, ka vënë në dukje eksperti.

Ndërsa për ekspertin Dritan Shano, masa të tilla që orientojnë paratë te projektet infrastrukturore në kushte pandemie janë kontradiktore dhe nuk justifikojnë emergjencën. Sipas Shanos, zgjerimi i borxhit në nivele të tilla rrezikon stabilitetin financiar.

“Qeveria duhet të ndajë mendjen: A po rimëkëmbet ekonomia në 2021 apo jo? Nëse po, nuk ka asnjë arsye të marrësh një borxh akoma më të madh se në 2020. Nëse ekonomia po rritet marrja borxh në këto përmasa nuk është e justifikuar. Po të marrësh të shikosh kompozimin se ku i çoi paratë ndryshimi i fundit i buxhetit. Janë të gjitha investime afatgjata në ato shpenzime që planifikon të bëje qeveria”, ka thënë Shano.

Sakaq, rritja e borxhit publik, ka shkaktuar dhe reagime nga kampi opozitar. Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, anëtare e komisionit të Ekonomisë dhe Financave ka deklaruar se Borxhi Publik u rrit nga qeveria në 92%.

Demokratja nuk la pa përmendur as raportimet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për te cilin tha që “raporton se faturat e Gjykatës së Arbitrazhit duhet të ishin llogaritur në Borxhin Publik sikundër FMN thotë që PPP duhet të ishin llogaritur gjithashtu. Llogaritur të gjithë këto shkojnë në 12% të GDP-së, shtuar borxhin 80.1% shkojmë në 92% të GDP”.

“U mor një borxh 1 mld euro gjatë pandemisë dhe vetëm 120 mln euro u dhanë si ndihmë për ekonominë, të gjitha borxhet e rindërtimit janë mbartur për në vitin aktual”, tha Tabaku.