Lajmet e mëngjesit ia kujtojnë çdo ditë fjalën luftë Aleksander Lekhovit nga Ukraina.
Ky 32-vjeçar është në mesin e mijëra qytetarëve me prejardhje shqiptare që jetojnë në disa fshatra dhe qytete të Ukrainës.
Me disa vështirësi në të folur shqip, Aleksandri rrëfen për Radion Evropa e Lirë se si ai dhe të afërmit e tij i shohin paralajmërimet për pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia.
Sipas tij, situata tregohet më e keqe në media seç është në të vërtetë.
“Tani, për momentin, nuk ka shumë probleme dhe frikë nuk kemi. Nuk e di çfarë do të ndodhë nesër ose pasnesër, por për sot nuk kemi kaq probleme sa tregojnë mediat”, thotë ai.
Aleksandri jeton në fshatin Karakurt, që ndodhet në jugperëndim të rajonit Odesa të Ukrainës dhe ka afro 3,000 banorë.
Ai thotë se kjo zonë është më e qetë se të tjerat.
“Ne jetojmë në jug të Ukrainës dhe nuk ndihet diçka për luftë fare. Në të tjera anë të Ukrainës ndihet. Atje ka ushtarakë rusë apo të Ukrainës”, thotë Aleksandri.
Qysh në vitin 2014, në lindje të Ukrainës vazhdon një konflikt midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, i cili, deri më tash, ka marrë mbi 14,000 jetë njerëzish. Po në atë vit, Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Tash e sa javë, shteti rus ka grumbulluar në kufijtë me Ukrainën mbi 100,000 ushtarë dhe ka frikë se po përgatitet për pushtim.
Një ish-bashkëvendës i Aleksandrit, Maxim Kirchev, tani jeton në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Ky 39-vjeçar me origjinë shqiptare thotë se situata në përgjithësi është e qetë, porse njerëzit po përgatiten për të gjithë skenarët.
“Ne mundohemi të rrimë të qetë. Njerëzit, në përgjithësi, mundohen të mos bëjnë panik. Në Ukrainë është një thënie: Rrini të qetë dhe pastrojeni armën tuaj”, thotë Maximi për Radion Evropa e Lirë.
I rritur në familje me origjinë shqiptare, dialektin e shqipes e ka të vjetër, krahasuar me gjuhën moderne që flitet sot.