Skandal në OBSH/ “The Guardian”: Akuzohet se bëri komplot me Italinë për të hequr raportin ku thuhej se…

200

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është akuzuar për komplot me Ministrinë Italiane të Shëndetësisë për të hequr një raport që zbulonte keqmenaxhimin e pandemisë së koronavirusit në fillim të shpërthimit të saj. Ky botim sipas “The Guardian” kishte për qëllim parandalimin e vdekjeve në të ardhmen.

Raporti, i realizuar nga shkencëtari i OBSH-së, Francesco Zambon dhe 10 kolegë të tij në të gjithë Evropën, u financua nga qeveria e Kuvajtit me synimin për të siguruar informacion për vendet që ende nuk ishin goditur.

I quajtur ‘Një Sfidë e Paprecedent’, dokumenti me përgjigjen e Parë të Italisë ndaj COVID-19 u botua në faqen zyrtare të OBSH-së më 13 maj përpara se tëfshihej të nesërmen.

Raporti me 102 faqe tha se “plani pandemik i Italisë nuk ishte azhurnuar që nga viti 2006 dhe se për shkak të mos përgatitjes, përgjigja fillestare nga spitalet ishte e improvizuar dhe kaotike. U desh kohë që udhëzimi zyrtar të bëhej i disponueshëm”.

Dokumenti dyshohet se u hoq me kërkesë të Ranieri Guerra, ndihmës i drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së për iniciativat strategjike.

Guerra ishte drejtori i përgjithshëm për shëndetin parandalues ​​në ministrinë italiane të shëndetësisë në vitet 2014 dhe fundi i 2017, dhe për këtë arsye ishte përgjegjës për azhurnimin e planit pandemik sipas udhëzimeve të reja të paraqitura nga OBSH dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Italia me plan të vjetër pandemik

Plani i vjetruar është një element thelbësor në hetimet paraprake që po kryhen nga prokurorët në Bergamo – provinca e Lombardisë e goditur më shumë gjatë valës së parë të pandemisë. Vdekjet e lidhura me Covid në Itali tejkaluan 60,000 të Dielën, numri më i lartë në Evropën kontinentale.

Hetuesit po përdorin gjithashtu një raport të përpiluar pas valës së parë nga një gjeneral në pension i ushtrisë, Pier Paolo Lunelli, i cili arriti në përfundimin se deri në 10,000 vdekje kanë ndodhur për shkak të mungesës së protokolleve të mjaftueshme anti-pandemike.

Francesco Zambon, i cili është i vendosur në zyrën e OBSH-së në Venecia, është thirrur tre herë për të folur me prokurorët, por është parandaluar ta bëjë këtë nga OBSH. Vetëm Guerra u dëgjua nga prokurorët në fillim të nëntorit, por ajo çfarë u diskutua në seancë nuk është bërë e ditur.

Pas lëshimit të thirrjes së parë për Zambon dhe studiues të tjerë, OBSH tha që prokurorët rajonalë kishin nevojë të ndiqnin kanalet diplomatike, duke bërë kërkesën e tyre përmes Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Thirrja e fundit e Zambon ishte më 10 dhjetor, por përsëri ai u bllokua të shkonte pavarësisht se kërkoi leje.

“Kur mora thirrjen e parë e raportova atë në zyrën ligjore të OBSH-së. Menjëherë ata u përgjigjën, duke thënë se nuk mund të shkoja. Unë doja të shkoja pasi kisha diçka për të thënë”, i tha Zambon, “The Guardian”.

Zambon pretendon se Guerra e kërcënoi atë me pushim nga puna nëse nuk modifikon pjesën e tekstit që i referohet planit të vjetruar, për Italinë.

Ai tha se pavarësisht informimit të zyrtarëve të lartë të OBSH-së për kërcënimet dhe rreziqet që paraqesin transparencën dhe neutralitetin e organizatës, asnjë hetim i brendshëm nuk ishte kryer.

Në atë kohë, OBSH nuk shpjegoi pse raporti u hoq, por tha në një deklaratë se “përmbante pasaktësi dhe mospërputhje”.

“Raporti nuk kritikoi qeverinë italiane, por theksoi kritikat me të cilat përballet administrimi i pandemisë, duke filluar nga premisa e planit të vjetër pandemik, i cili vetëm u rikonfirmua dhe nuk u azhurnua në 2017,” tha Zambon. “Ekipi e kontrolloi plotësisht këtë dhe zbuloi se të gjitha planet që erdhën pas vitit 2006 u kopjuan dhe asnjë fjalë ose presje nuk u ndryshua në tekst.”

Zambon pretendon se një muaj para botimit ai i dërgoi një përshkrim të gjetjeve Guerra-s, i cili e ndau atë me ministrin e shëndetit të Italisë, Roberto Speranza.

Email-et e dërguara në maj te Zambon nga Guerra dhe Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për Evropën, i cili gjithashtu shkroi prezantimin e dokumentit të hequr, duket se pasqyrojnë një pakt të bërë me ministrinë italiane të shëndetësisë për të mbajtur raportin të mbyllur./ The Guardian