“S’ke nevojë të vaksinohesh, lëshoi çertifikatën e vaksinimit kundrejt ryshfetit, Ministria e Shëndetësisë shkarkon nga detyra mjeken dhe kërkon heqjen e licensës

122

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë ngjarjen e rëndë të  denoncuar nga emisioni “Fiks Fare”,  të lëshimit të çertifikatës së vaksinimit kundrejt pagesës, pa kryer vaksinimin e qytetarit,  nga mjekja e qendrës shëndetësore të fshatit Gradisht të Lushnjes.

Sa më sipër, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masën e menjëhershme të shkarkimit nga detyra të mjekes Elona Naço.

Duke e konsideruar këtë akt, një veprim kriminal, shkelje të rëndë në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit publik të popullatës në situatën e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë do t’i kërkojë Urdhrit të Mjekut, heqjen e licensës së ushtrimit të profesionit për mjeken në fjalë.

Ministria e Shëndetësisë ka marrë edhe masën e lirimit nga detyra të drejtorit të qendrës shëndetësore Gradisht, me inicialet A.Gj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale falënderon emisionin  investigativ “Fiks Fare” për denoncimin publik të këtij rasti korrupsioni dhe abuzimi me detyrën dhe shëndetin e qytetarëve, ndërkohë që inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet për denoncimin e rasteve të abuzimit apo korrupsionit nga cilido punonjës në institucionet shëndetësore.

MSHMS inkurajon organet kompetente t’i shkojnë deri në fund investigimit dhe ndëshkimit të çdo akti korruptiv, që baltos punën e mijëra mjekëve dhe infermierëve, si dhe cënon shendetin publik të popullatës.