Kur përballemi me besimtarët e teorive të konspiracionit faktet nuk kanë rëndësi. Pra, këto të fundit nuk kanë aspak efektin magjik që do të donim prej tyre. Dhe nëse do të funksiononin, nuk do të kishim nevojë të përballeshim me dukurinë e teoricienëve të konspiracionit.
Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë rast është motivimi që është i pranishëm tek besimtari i teorive të tilla. Nëse ai motivim mund të ekspozohet, atëherë ka shumë më tepër gjasa që personi të bindet të braktisë plotësisht besimin e teorisë së konspiracionit.
Gjëja e parë që duhet të kemi parasysh në këtë aspekt, është se shumë rrallë një person mund të rritet në një mjedis që nxit besimin tek teoritë e konspiracionit… Edhe pse tek më të rinjtë, aktualisht kjo mund të jetë një dukuri më e zakonshme. Duke pasur parasysh këtë gjë, ne duhet ta pranojmë se diçka i ka nxitur njerëzit drejt bindjeve dhe besimeve konspirative.
Literatura argumenton se shkaku më i zakonshëm është ekspozimi ndaj teorive konspirative, që deri në dekadat e fundit ka qenë një dukuri e pazakontë. Torson argumenton se ekspozimi, qoftë ky edhe me synim hedhjen poshtë të një teori konspirative, ndihmon në përhapjen e tyre.
Literatura sociologjike dhe psikologjike ka identifikuar disa nga këto motivime. Në këtë artikull, unë do të doja të përqendrohesha tek njëri nga motivimet, tek nevoja për t’u ndjerë unikë apo superiorë ndaj pjesës tjetër të turmës. Ky motivim është një nga ata që duken shumë qartë pasi vihen në dukje.
Ai është lloji i motivimit që motivoi për herë të parë kundërshtarët e vaksinave 15 vjet më parë. Është lloji i motivimit që e lejon dikë të pranojë teorinë e çmendur se Toka është e sheshtë dhe jo e rrumbullakët. Është ajo që e lejon Health Ranger të na quajë “dele” ne të tjerëve.
Ata janë të veçantët, unikët, ata që kanë arritur të shohin përtej vellos, prandaj duhet të konsiderohen si më inteligjentë se sa komplotistët që synojnë të demaskojnë. Dy artikuj të veçantë e identifikuan këtë motivim në vitin 2017:“Unë di gjëra që ata nuk i dinë” (Lantian) dhe “Shumë i veçantë për të qenë një mashtrim” (Imhof dhe Lamberti).
Që të dyja këto botime arrijnë në përfundimin se dëshira për t’u ndjerë më unikë sesa publiku i gjerë, ka një ndikim diskret mbi besimet dhe bindjet që do të ketë një individ. Ato shpjegojnë gjithashtu pse do të vazhdojnë që t’i ruajnë ato bindje, pavarësisht paraqitjes së provave që kundërshtojnë pozicionin e tyre.
Natyrisht që këto studime kanë kufizimet e tyre, ku më kryesori është se ato bazohen tek vetë-raportimi. Vetë-raportimi është në përgjithësi problematik pasi në thelb është subjektiv, dhe siç e ka theksuar një studiues tjetër në lidhje me placebot, ai mund të prodhojëpërfundime të rreme mbi një fenomen objektiv.
Por nga ana tjetër nuk ekziston asnjë mënyrë tjetër për ta matur këtë, përveç disa skanimeve të trurit që përshkruhen në librat fantastiko-shkencorë. Edhe pse teoricienët e konspiracionit besojnë tek gjërat e fanta-shkencës, ne duhet ta pranojmë fjalën e tyre kur ata na thonë pse besojnë atë që besojnë.
Duke lënë mënjanë këtë mohim, ky studim është i rëndësishëm për disa arsye. E para,është se të kuptuarit e motivimeve të teoricienëve të konspiracionit duhet të jetë një hap parësor në rast se duam që ta luftojmë këtë fenomen. Është për të ardhur keq për fakt nëse një ekstremist mund të mos ishte radikalizuar kurrë, nëse do të ishte përfshirë në një debat në forumet në internet, se cili aktor ishte një doktor më i mirë, në vend të një forumi ku argumenti qendror ishte nëse emigrantët apo hebrenjtë ishin apo jo një problem real.
Ai individ është pozicionuar në një formë për t’u ndjerë pjesë e diçkaje, por edhe për t’u ndjerë i dallueshëm nga publiku i gjerë. Arsyeja e dytë pse kjo është e rëndësishme, është se na tregon se lidhja nuk është racionale por emocionale.
Siç thotë Lantian,provat e paraqitura në këtë studim tregojnë se besimi tek teoritë e konspiracionit mund të jetë një mënyrë për të kënaqur nevojën e dikujt për të qenë unik.Ndërkohë Imhof dhe Lamberti shtojnë:“Teoritë e konspiracionit duket se ruajnë premtimin e të qenit një grup qëndrimesh politike, të cilat garantojnë se dikush do që të shihet se ka një mendje të pavarur, edhe pse nuk mund të jetë domosdoshmërisht i saktë”.
Përfundimi i rëndësishëm në të cilin duhet të mbërrijmë është se edhe kur sulmojmë një teori konspirative, ne nuk po sulmojmë vetëm atë që beson dikush, por po sulmojmë vetë personin.
Kur sfidojmë besimtarët e teorive të konspiracionit, ne nuk po themi vetëm se gjëja që ata besojnë është e rreme, por se ata janë gjithashtu po aq të thjeshtë dhe normalë sa ne të tjerët. / “The Sceptic” – Bota.al