Rikthimi i Kristiano Ronaldos te Mançester Junajtid bëri bujë të madhe për vetë faktin se ishte i pamenduar dhe ndodhi në fundin e merkatos verore.
Ylli portugez ishte afër transferimit te rivalët e Sitit, pasi më parë agjenti i tij Jorge Mendesh i kishte ofruar kartonin e Ronaldos ‘’qytetarëve’’.
Por ‘’Daily Mail’’ ka zbuluar një telefonatë 20 sekondëshe të Kristiano Ronaldos me mentorin e tij Sër Aleks Ferguson. Sipas asaj që shkruan gazeta britanike, Ferguson i është drejtuar Ronaldos me fjalët: ‘’Mos shko te Siti’’.
Kjo frazë ka mjaftuar që Ronaldo të ndryshojë destinacionin brenda qytetit të Mançesterit. Ferguson është një ndër personat më thelbësor për karrierën e 36-vjeçarit, që kur e transferoi në vitin 2003 nga Sportin Lisbona.