Theu xhamin dhe doli nga dritarja, i mbijetuari: Shoferin e zuri gjumi, autobusi u mbush me tym, dëgjova britma

58

Aksidenti i një dite më parë në Bullgari ka marrë 46 jetë, mes të cilëve 12 janë fëmijë. Shumica e viktimave janë 25 deri në 30 vjeç. Ndërkohë shtatë persona të mbijetuar janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Shkaku i përplasjes nuk është konfirmuar ende megjithatë dyshimet janë se autobusi goditi një trafik-ndarëse në autostradë dhe më pas mori flakë. Flakët nisën në pjesën e përparme të autobusit, duke u lënë kohë atyre që ishin ulur në sediljet e fundit të gjenin kohë për të shpëtuar.

Në mesin e të mbijetuarve janë pjesë shtetas të Maqedonisë së Veriut, një shtetas serb dhe një belg. Ata kanë pësuar djegie dhe lëndime në trup por gjendja e tyre paraqitet stabël dhe jashtë rrezikut për jetën.

Mediat greke kanë shkruar mbi këtë ngjarje duke cituar një prej të mbijetuarve Lulzim Sulejmani i cili ka folur në spital për momentin e aksidentit. I riu ka arritur të thyejë xhamin dhe të dalë jashtë bashkë me të fejuarën e tij dhe pesë persona të tjerë. Ai ka deklaruar se shoferi në momentin e aksidentit ka gjasa ta ketë zënë gjumi.