“Turistët habiten” ja cfare ndodh 50 metra larg resorteve luksoze

73

Kanali i ujërave të zeza në zonën e Pishave të Buta në Golem është kthyer në problem për banorët dhe turistët.

Një banor denoncon rastin në “Ti Raporton”. Sipas tij, kanali ndodhet vetëm 50 metra larg resorteve luksoze të Golemit dhe përveç aromës shqetësuese, mbledh dhe insekte të shumta.

“Ky kanal i sapo ndërtuar është bërë depozitë ujërash të zeza, në rrugën “Ismail Qemali” në Pishat e Buta Golem. Sot në mëngjes disa turiste polakë po habiteshin me këtë gjendje”, shkruan qytetari.

Agjencia Evropiane e Mjedisit raportoi disa ditë më parë se cilat janë plazhet më të ndotura të bregdetit shqiptar. Plazhi i Plepave në Durrës është zonë e kuqe, pasi dhe aty gjendet një kanal i ujërave të zeza, që derdhet në det.

Zona të tjera të kuqe për shkak të ndotjes janë Plazhi ne zonën e Currilave ne Durrës, Plazhi i Marinës në Vlorë, si dhe plazhi i Ohrit në Pogradec.

Nga 119 pikat e monitoruara në Shqipëri, rreth 75% e ujërave vijnë me cilësi të shkëlqyer, 17.6% e tyre me cilësi të mirë, ndërsa 1.7% mbushin me vështirësi kushtet.