U vetëdorëzua pas arratisë, 20 vjeçari shqiptar do të dal sot para drejtësisë greke

271

20-vjeçari shqiptar Roxhers Demirazi, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos do të dalë sot para drejtësisë greke ku do të tregojë të gjithë të vërtetën e tij për ngjarjen e rëndë.

Demirazi pas ngjarjes u arratis në Shqipëri por pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar ai vendosi të vetë-dorëzohet në Korçë. Më pas ai iu dorëzua autoriteteve greke nga policia shqiptare pas arrestimit. Seanca do të nisë në orën 13:00.

I dyshuari ishte arratisur në Shqipëri menjëherë pas vrasjes.

Pasi u vetë-dorëzua në Policinë e Korçës ai u dërgua në stacionin kufitar të Krystallopigisë, ku u prit nga policia greke, i shoqëruar nga inspektori i përgjithshëm i policisë greke të Greqisë, gjenerallejtënant Konstantinos Skoumas.

I riu tashmë do të përballet me drejtësinë dhe pritet të tregojë më shumë për të përfshirët e tjerë në vrasje.

20 vjeçari kërkoi të ekstradohej në Greqi për të rrëfyer, siç thotë ai, të vërtetën sesi skuadra e vdekjes veproi ndaj 19-vjeçarit Alkis dhe dy shokëve të tij.

“Më vjen keq që u largova. Dua të kthehem dhe të gjykohem për të thënë të gjithë të vërtetën për atë që ndodhi në të vërtetë atë natë. Më vjen shumë keq për djalin”, tha 20-vjeçari.