Ujësjellësat të “zhytur” në borxhe ndaj OSHEE-së, kryeson Durrësi

90

Ujësjellësat nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike. Nga të dhënat e publikuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm rezulton se deri më tani këto kompani kanë një borxh prej 20.37 mld lekësh ose 160 mln eurosh. Sipas të njëjtit raportim 11.05 miliardë lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe 9.32 miliardë lekë janë detyrime për kamatëvonesa.

Debitori më i madh rezulton se është ujësjellësi i Durrësit me 6.43 mld lekësh i ndjekur më pas nga ujësjellësi i Vlorës me 2.18 mld lekë, Patosi me 1.58 mld dhe Fieri po me 1.27. Këto borxhe ndaj OSHEE rëndohen edhe më shumë kur vendi ka shpallur një emergjencë energjetike dhe qeveria do të japë një garanci sovrane prej 200 mln eurosh në ndihmë të sektorit.

 

Mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike si pasojë e motit të thatë do të detyrojë OSHEE të plotësojë këtë mungesë me blerje energjie në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare të kompanisë.

Si pasojë, nga ana e OSHEE parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard LEK për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard LEK. Në draft-buxhet theksohet ndër të tjera se kriza energjetike në vend është ndikuar nga moti I thatë ndërsa kaskadat e hidrocentraleve ndodhen nën mesataren historike të 30 viteve.

Për të përmirësuar gjendjen financiare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë sugjerohet që të merren masa sa më shpejta për të nxjerrë në treg të lirë konsumatorët e mëdhenj./ ABC/

HUMBJET FINANCIARE TË OSHEE
2021 8.9 MLD
2022 7.2 MLD

Borxhet e ujësjellësave
Durrësi UK 6.43 mld lekë
Vlorë UK 2.18 mld lekë
Patos UK 1.58 mld lekë
Fier UK 1.27 mld lekë
Krujë UK 0.93 mld lekë