“Vaksinimi nuk zgjidhet me detyrim, por…”, Manastirliu: Presim rritje të infektimeve me Covid në dimër

330

Për ministren Manastirliu vaksinimi nuk zgjidhet me detyrim, zgjidhet me shkencë duke mbështetur vaksinimin.

Duke folur për situatën e studentëve në auditorë, ajo tha se kemi ndjekur një politikë të tillë që nëpërmjet paraqitjes së kartës së vaksinimit nga studentët dhe pedagogët të ngjallim një lloj përgjegjësie qytetare për të rritur vetëdijen për t’u vaksinuar. Ajo nuk përjashtoi edhe bërjen me detyrim të certifikatës së vaksinimit për kategori të tjera.

 

Sipas saj edhe pse ka një javë që grupet e vaksinimit ka qenë në çdo universitet rezultati nuk është ai i prituri.

Patjetër që konsiderohet si mundësi. Kemi ndjekur një politikë të tillë që nëpërmjet paraqitjes së kartës së vaksinimit nga studentët dhe pedagogët të ngjallim një lloj përgjegjësie qytetare për të rritur vetëdijen për t’u vaksinuar.

Sfida është me vetë ne, me qytetarët të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm sidomos të rinjtë që janë pjesë e universiteteve. Si mundet një i ri të mos e besojë shkencën? Vaksinimi nuk zgjidhet me detyrim, zgjidhet me shkencë duke mbështetur vaksinimin.

Është menduar që përveç pedagogëve apo studentëve për t’u vaksinuar është menduar edhe për ndonjë kategori tjetër kjo?
Komiteti i Ekspertëve vlerësojnë masa çdo ditë. Mund të ketë kategori të shërbimeve publike që janë ballë për ballë me qytetarët të cilat vlerësohen për t’u futur në këtë drejtim.

Është përfolur për administratën?

Nëse e vlerëson Komiteti mund të kalojmë. Por ka një gjë. Nuk është çështja ta thotë komiteti, është si do të bashkëpunojmë ne.

Për studentët mund të ishte bërë më tepër?

Po patjetër. Jo vetëm kaq. Është berë derë më derë të universitetit. Çfarë arsyeje mund të ketë një universitet të thotë që nuk u vaksinuam dot. Ka një javë që grupet e vaksinimit kane qenë në çdo universitet dhe rezultati nuk është ai që kemi pritur.

Ka një përqindje se sa janë vaksinuar?

Ne na është rritur përqindja për sa i përket grup moshës +18, por nuk është aty ku duhet. Është rreth 28%. Është pak në raport me atë që duhet të jetë. Duhet një bashkëpunim me të rinjtë të clët duhet të trokasin në çdo derë duke thënë që kjo është e vetmja rrugë. Ne nuk duam të mbyllemi. Apo duhet të bëhet çdo gjë me detyrim për t’u bërë. Duhet bërë me bashkëpunim.

Në këtë një javën pati edhe një protestë në fakultete të ndryshme. Pas kësaj jave nuk hyn më askush në auditor?

Janë universitetet ato që duhet të zbatojnë urdhrin. Mos themi që mungon gjë. Qeveria ka siguruar vaksina që deri dje kishim problemin a do të vijnë. Tani i kemi këtu dhe vazhdojnë të vijnë. Dua të falenderoj mediat për punën gjatë këtyre muajve sidomos për vaksinimin.

Nga aq sa ju keni komunikuar me ekspertë çfarë dimri na pret?

Kjo situatë ka të papritura. Ka disa skenarë. Dimri pritet të ketë një rritje të infeksioneve. Nuk dihet se çfarë do të sjellë ne lidhje me variantet e reja.

Gripi sezonal do të jetë dhe kemi mundur të sigurojmë vaksina për grupet që kanë sëmundje kronike për gratë shtatzëna dhe kjo shpërndarje ka filluar me 35 mijë të tjera dhe pritet të kemi edhe 200 mijë të tjera në javët që do të vijnë.