Gjykata e Fierit ka lënë në burg edukatoren Redina Binjaku, e punësuar në kopshtin privat ku ndërroi jetë 3-vjeçari në Fier.
Gjykata ka vendosur 30 ditë burg për edukatoren në fjalë, e cila akuzohet nga organi i akuzës për shkelje të rregullave në punë.
Në dëshminë e saj edukatorja 27-vjeçare u shpreh se fëmija u mbyt me kapuçin e tij gjatë kohës që kishte shkuar të merrte çantën e varur.
Ndërkohë që familjarët e vogëlushit kërkojnë zbardhjen e ngjarjes me pretendimet se ka qenë e pamundur që fëmija të mbytej në një lartësi të tillë.
Kujtojmë se ditën e djeshme mes lotësh e ëma e 3-vjeçarit, Donalda Kodheli protestoi së bashku me familjarët e të tjerë përpara prokurorisë, ku kërkoi zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas saj djali i saj ishte 15 kilogram dhe nuk mud të varej tek varëset ku liheshin çantat pasi ato do të këputeshin.
“Edukatorja më ka gënjyer, më ka marrë mua të parën në telefon më tha është mbytur me litar të bluzës, është në gjendje të mirë dhe është përmendur. Në momentin që shkova në spital, më thanë është futur në sallë të operimit, pastaj doktori më tha fëmija ka ardhur pa jetë këtu.
Na thanë ka kamera sigurie, por kur shkuam nuk kishte.
Djali 15 kilogram nuk ka mundësi të mbytej nga varësja. Kërkoj drejtësi për shpirtin e Noas tim”, tha nëna mes lotësh.