Vendosja e përmendores së Skënderbeut në komunitetin arbëresh, Meta: Mesazh kujtese për brezat e rinj

102

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të kalojë këtë të diel në komunitetin arbëresh në Contessa Entellina në Itali.

Kreu i shtetit ka publikuar foto nga vizita e tij e cila përkonte dhe me vendosjen e përmendores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në qendër të këtij qyteti.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se vendosja e kësaj vepre do jetë thirrje e përhershme për të gjithë dhe një mesazh kujtese për brezat e rinj për të mos harruar rrënjët e historisë dhe kulturës shqiptare.

Thellësisht i lumtur dhe krenar, që vizita ime në Bashkinë arbëreshe Contessa Entellina, përkoi me përfundimin e përmendores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vepër e skulptorit Vincenzo Muratore.

Vendosja e kësaj vepre në sheshin kryesor të qytetit, do jetë një thirrje e përhershme për të gjithë dhe një mesazh kujtese edhe për brezat e rinj, për të mos i harruar kurrë rrënjët dhe për të bërë gjithçka për ruajtjen e trashëgimisë tonë të vyer historike e kulturore.

Mirënjohje Kryebashkiakut, Leonardo Spera dhe të gjithë komunitetit të dashur arbëresh të Contessa Entellina, që mbajnë gjallë figurën e Skënderbeut, simbolit të identitetit tonë kombëtar, mbrojtësin e vlerave dhe traditave të qytetërimit europian, që frymëzon në çdo kohë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale me popullin dhe Italinë mike.