VIDEO/ Një krijesë misterioze shfaqet në bregdetin e Salentos

203

Një peshkatar italian në zonën e mbrojtur në Porto Cesareo, në Salento, ka njoftuar për shfaqjen e një kafshe detare të cilën nuk e kishte parë ndonjëherë, ndërkohë që të habitur mbetën edhe ekspertët e faunës detare.

Peshkatari sportiv ndeshi me kafshën teksa ishte me barkën e tij në mes të rezervatit, zonën e ndaluar për peshkimin dhe ku i vetmi aktivitet i lejuar është ai shkencor.

Pikërisht për këtë arsye peshkatari, pasi filmoi krijesën, kontaktoi menjëherë biologët detarë.

Ekspertët, pasi vëzhguan me vëmendje sjelljen e krijesës, arritën ta identifikonin. Bëhet fjalë për një fokë Mesdheu, e cila nuk ishte parë në ato ujëra prej 50 vjetësh.

Drejtori i rezervatit, Paolo D’Ambrosio, shpjegoi: ‘Një kthim i pritur prej vitesh dhe i rëndësishëm pasi tregon për punën e shkëlqyer që bëhet prej vitesh në Porto Cesareo’.

Sipas biologëve marinë, foka mesdhetare ishte zhdukur prej vitesh nga ujërat e Mesdheut. ‘Shfaqja e fundit në ujërat e Porto Cesareo ka qenë në vitet ’70. Një ekzemplar i kapur në atë periudhë dhe i balsamosur gjendet në muzeun lokal të Biologjisë Detare’, tha D’Ambrosio.

Sipas docentit të Zoologjisë e Biologjisë Detare në Universitetin e Triestes, ka pasur sinjalizime të fokës mesdhetare në Adriatikun e poshtëm, dhe gjatë brigjeve italiane, greke e shqiptare të Jonit.