VIDEO/ RRËSHQITJE E MADHE BALTE DERDHET NË QYTET DHE FSHIN GJITHÇKA

141

Të paktën 20 persona rezultojnë të humbur në Japoni si pasojë e një rrëshqitjeje të madhe që është derdhur në qytetin e Atami, në prefekturen e Shizuoka, duke marrë me vete çdo gjë që gjente në rrugë, nga makinat deri tek shtëpitë.

Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e së shtunës sipas orës lokale.

Zona prej disa orëve ishte përfshirë nga një kohë e keqe me shira të rrëmbyeshëm.

Në vend kishte disa skuadra zjarrëfikësish kur rrëshqitja e madhe e baltës nga kodra është derdhur në qytezë duke marrë me vete çdo gjë.

Skena duket në disa video të publikuara në rrjetet sociale nga banorët e zonës, të cilët filmonin grupet e shpëtimit, pasi ishin siguruar në lartësi.

Në imazhe duket vala e papritur e baltës që shkëputet nga rruga dhe shtëpitë, duke i detyruar të largohen edhe ndihmësit që ishin në vendngjarje.

Rrëshqitja e madhe ka prishur disa shtëpi dhe pallate, por për fat të keq edhe disa banorë janë deklaruar të humbur.

Një bilanc i parë flet për 20 të humbur, kanë nisur menjëherë kërkimet dhe ndihma e shpejtë, por mundësitë për t’i gjetur akoma në jetë janë shumë të vogla.

“Nuk kemi siguri rreth jetës së këtyre personave”, ka konfirmuar një zyrtar i prefekturës së Shizuoka.

“Dëgjova një zhurmë dhe pashë balten në ardhje, ndërkohë që shpëtuesit u thonin njerëzve që të largoheshin nga shtëpia.

Kështu kur u ktheva, vrapova drejt lartësive, shtëpitë dhe makinat që ishin para tempullit nuk ishin më”, ka treguar njëri nga banorët.

Në zonë, asnjë nuk mund të kthehet në shtëpi duke parë shqetësimin që ekziston akoma.

Në vendngjarje po punojnë tani zjarrëfikësit dhe policia, në kërkim të të humburve dhe autoritetet e prefekturës i kanë kërkuar ndihmë personelit të ushtrisë.

Sipas kompanisë Tokyo Electric Power Company, në orën 14:00 lokale, rreth 2830 familje ishin pa energji elektrike.

Sipas agjensisë meteorologjike japoneze, shirat mund të vazhdojnë në zonë edhe në ditët në vazhdim. /Përktheu: allnews.al